Kreu i PD Gjirokastër Roland Bejko, ka kërkuar largimin e drejtorit të Policisë Gjirokastër Arjanit Arapi, pasi po përgatit manipulimin e zgjedhjeve të 18 qershorit, me paratë e drogës. Në një deklaratë për shtyp, zoti Bejko ka akuzuar edhe ministrin Tahiri.
Me poshte deklarata e zotit Bejko ndaj Policisë së Gjirokastrës.
PD ka denoncuar aferat e Policisë së Shtetit, lidhjet e saj dhe segmentet e saj me mbjelljen e kanabisit që në zanafillë. PD është dakord që Policia e Shtetit sot po bëhet gati që të implikojë segmente të saj, struktura të saj dhe të inkriminuarit për të manipuluar zgjedhjet dhe për të favorizuar PS në pushtet dhe në dëm të LSI që u shpreh Tavo apo dhe forcave të tjera politike. Në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës, kanë filluar vjedhjet masive ku në fshatin Andon Poci janë vjedhur deri edhe lope, përvec banesave dhe pronave të tjera private apo publike. Në qytetin e Gjirokastrës, janë me dhjetëra njësi tregtare të cilat kanë qenë pre e hajdutëve ordinerë që policia nuk i ka kapur. Nga ana tjetër Policia na dhuron spektakël mediatik nën kujdesin direkt të ministrit të brendshëm Sajmir Tahiri që të kapen të gjithë ata që u ofrojnë policëve 10 apo 15 mijë lek tw vjetra në formë rryshfeti. Pra nëse policia na jep këtë spektakël, nga ana tjetër ajo lejon hajdutët, trafikantët e drogës dhe trafikantë të mëdhenj që të lëvizin lirshëm në Gjirokastër dhe kjo nuk është policia që duam. Shqetësimi jonë dhe i gjithë qytetarëve ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme politike ku ashtu sic e kishim paralajmëruar ku i gjithë ky kontigjent, që u kontrollua dhe menaxhua nga drejtuesit e lartë të Policisë në Gjirokastër ashtu sic pohojnë qytetarët kudo, ashtu sic akuzoi dhe deputeti i LSI dhe kjo është shumë e rëndë për një shtet, po përgatiten për të manipuluar zgjedhjet. Për këtë qëllim, ne të gjithë së bashku duhet të bëhemi bllok për ta ndalur këtë me të gjithë qytetarët. Segmentet në Policinë e Shtetit e kanë një emër dhe ai emër është Arjanit Arapi drejtori i Policisë Rajonale të Gjirokastrës i cili duhet të largohet një orë e më parë. Nëse do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ky dhe kupola e tij dhe establishmenit i tij që ka krijuar këtu në Gjirokastër, duhet të iki një orë e më parë. Arjanit Arapi ka ardhur me një mision të caktuar nga Sajmir Tahiri, për të grumbulluar paranë e drogës dhe për ta cuar në kupolë në Tiranë për të organizuar këtë segment kriminal me qëllim, manipulimin e zgjedhjeve dhe kriminalizuar ekonominë e Gjirokastrës dhe rritur varfërinë. Unë nuk kam parë qeveri në Botë që të ndërtojë një strategji sesi të varfërojë ditë për ditë shumë e më shumë qytetarët e saj dhe kjo është qeveria e ashtuquajturës “Rilindje”.