Berisha: Edi Rama rrëzohet vetëm me revolucion

0
161

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryeministri Rama mund të rrëzohet nga pushteti vetëm me revolucion pasi sipas tij zgjedhje me atë kryeministër nuk mund të ketë.
Berisha komentoi aksionin opozitar të një viti, që nga lënia e mandateve e deri te ulja në tryezë për Reformën Zgjedhore. Kjo e fundit sipas Berishës ishte e nevojshme pasi kontribuon që zgjedhjet të jenë sa më të ndershme. Në rast të kundërt Berisha tha se opozita do të bënte një autogol.
“Për opozitën zgjedhjet janë objektiv i gjithë objektivave, në këtë kontekst opozita në Shqipëri, nuk mund të hezitojë të japë çdo kontribut të mundshëm që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të ndershme. Edhe në kushtet e Bundestagut, kushti i parë ka qenë reforma zgjedhore. Dhe unë nuk mund të them që opozita të thotë nuk merrem me këtë kushte, sepse nëse opozita nuk e bënte këtë, për mua bënte një autogol. Hapi tjetër që mbetet detyrë e opozitës, është rrëzimi i Edi Ramës ”, deklaroi Berisha.
Ish-kreu i Partisë Demokratike tha se ajo kishte dështuar të rrëzonte nga pushteti Edi Ramën por ja doli që të tregonte se çfarë raportesh ka Edi Rama me ligjin.
“Ajo që opozita nuk bëri dot, nuk rrëzoi Edi Ramën, nuk bllokoi dot zgjedhjet…Shumë më tepër do fitonte po të rrëzonte Edi Ramën, po të bllokonte zgjedhjet, por të paktën opozita ia doli të nxjerrë lakuriq, jo si ka dalë na plazh po shumë herë më lakuriq, Edi Ramën se kush është ai në raport me parimet demokratike dhe themelore të një vendi”, shtoi ai.
Sa i përket asaj që nuk arriti dot opozita sipas tij, Berisha tha se Rama nuk rrëzohet dot me votë por vetëm me revolucion.
“Për mua opozita duhet të bëjë gjithçka mund të bëjë për t’i bërë Edi Ramës, atë që bolivianët i bënë Moralesit, atë që armenët i bënë Sarkesianit, për t’i bërë atë që realizuan maqedonasit në një kohë kur vërtet ishte salduar një problem. Pra, opozita nuk duhet të humbasë kohë, por të hidhet në një betejë deri në përmbysjen përfundimtare të këtij bosi të mafias shqiptare, sic po e quajnë tani në Europë. Sot Edi Rama është më monist se kurrë në pushtet, po kjo nuk do të thotë se është i pathyeshëm. Ai është absolutisht si një tigër letre, problemi është se Edi Rama e faktoi që ia mbath, opozita duhet të gjejë mekanizmin që kur t’ia mbathë të mos kthehet dot. Vetëm revolucioni është zgjidhje në këtë vend. Ka një urrejtje për Edi Ramën, që ka kufi vetëm qiellin dhe kjo urrejtje duhet kapitalizuar me rrëzimin sa më shpejt të Edi Ramës dhe të këtij narkokabineti, ky është mendimi im. Absolutisht me votë jo, sepse nuk voton kurrë. Ai largohet me revolucion, nuk ka forcë në botë që mund t’i rezistojë. Revolucioni sot është më i mundur se kurrë. Sa më monist bëhet Edi Rama, aq më i mundshëm është revolucioni dhe fitorja e tij ”, tha Berisha

Shkruaj nje koment