Beteja qesharake e Edi Ramës, për të bërë Shtrigën-Borëbardhë!

Nga Poli Hoxha 

Fiks si tani, dy vite më parë-fund tetori ka qenë-Edi Rama, nisi një fushatë agresive kundër mediave online. Nëse ju kujtohet atëherë deklaroi, se “koha e tyre ka mbaruar”.

Në fakt “koha” e mediave dhe gazetarëve që kishin përqafuar teknologjinë e informacionit në eter, sapo kishte nisur. Ajo që `ishte djegur dhe kishte mbaruar` në atë fund tetor të vitit 2016 ishte realiteti virtual, që me shumë mund e shumë miliona kishte “krijuar” Edi Rama në laboratorin e Endri Fugës; për `policinë që duam`; `lufta kundër drogës, një histori suksesi`; `Saimir Tahiri, kampion i Rilindjes`;`Rroshi, Prenga e kompani janë djem të mirë, që mund të kenë bërë ndonjë gabim në adoleshencë`; `shëndetësi falas`, e shumë mashtrime të tjera të Rilindjes, të dala boje me shpejtësi.

Të gjitha këto blofe të certifikuara më pas me fakte, e nervozuan shumë Ramën në atë kohë. Prandaj u hapi luftë pasqyrave, që tregonin se çfarë zezonë fshihet realisht pas ngrehinës së zbukuruar me xhingla-mingla, të Rilindjes.

Meqenëse rezistenca e brendshme dhe veçanërisht ultimatumet e ndërkombëtarëve, në atë kohë ishin të forta, Rama u tërhoq momentalisht nga ekzekutimi i “kohës së portaleve” dhe ju rikthye Planit A:

Forco mediat ekzistuese, të cilat ushqen me benefite të pushtetit; vazhdo e krijo portale e bodrume me urith të infiltruar në rrjetet sociale, të cilët dizinformojnë, shpifin e denigrojnë çdo zë kundër qeverisë. Si të mos mjaftojë gjoksi i vetë, që nxjerr përpara poshtë e përpjetë në publik  në këtë betejë me “kazanët” e fjalës së lirë, ndërton një rrjet të tërë “vullnetarësh” online, që kanë përmbytur Facebook  e çdo portë sociale.

Dhe janë shumë-një ushtri e tërë- vulgar përtej imagjinatës. Nëse publikon një shkrim, që i heq varakun prej fluture brumbullit të Rilindjes, të bombardojnë në inboxin e e medias ku punon e tëndin personal, me gjithfarë sharjesh rruge e intimidime, deri me jetë. Këtë lloj bombardimi të neveritshëm, e përjeton  çdo media dhe gazetarë që guxon të kritikojë apo demaskojë Ramën dhe organizatën e tij në krye të shtetit.

Por janë para dhe energji, të hedhura kotë. Ai grusht gazetarësh dhe mediash që ende rezistojnë dhe u ka mbetur aq integritet personal e profesional sa për të refuzuar ti thonë të zezës e bardhë, tashmë kanë krijuar imunitet. Madje edhe neveri personale ndaj këtyre strategjive të ulëta të kryeministrit dhe atyre, që e këshillojnë në fushën e komunikimit.

Prandaj ja ku jemi pas dy vitesh dhe po shohim një rikthim, te Plani B; “Koha e portaleve ka mbaruar”, ti thyejmë fare pasqyrat që refuzojnë, që Shtrigën ta shfaqin si Borëbardhë.

E njëjta situatë si dy vite më parë; Zagarë rruge me imunitet që grisin brekët e mëndafshta që u ka veshur Rama dhe kthehen te kazanët e plehrave nga i nxori për ca vota pushteti; kriminelë, të cilët pasi kanë ndarë pazare e para me gjithë zinxhirin e policisë në kohën e kanabizimit të vendit kanë dalë jashtë kontrollit; lista me emra të krimit të organizuar ndërkombëtar të cilët këtu bëjnë “biznesmenin”, që Ramës i vijnë sistematikisht nga qeveritë e BE dhe SHBA.

E mbi të gjitha; shifrat e frikshme të sondazheve të tij private që tregojnë, se shqiptarëve u janë hapur sytë dhe varaku 5 vjeçar, që e shndërron brumbullin në flutur, nuk mban më.

Nëse beteja e para dy viteve që nisi Edi Rama kundër portaleve shkaktoi shqetësim dhe alarm, kjo `De Javu` e këtij tetori tek ata pak që vazhdojnë ta duan ka ngjallur vetëm keqardhje. Kurse te të tjerët neveri dhe frymëzim, për anekdota në rrjetet sociale.

A ka në eterin e informacionit online gënjeshtra, shpifje dhe denigrim?!

Sa të duash-`thasë me K`- nga të gjitha palët. Por, në asnjë vend demokratik nuk vritet lajmësi. Në vend që të bëjë ligjin për mediat duke përfshirë edhe ato online, bën sikur i hap luftë shpifjes dhe gënjeshtrës. Arrin deri aty, sa që urdhëron deputetët,  policët e gjithë zinxhirin e administratës, që të bombardojnë gjykatat me kallëzime “për shpifje”. Sipas parimit; kundërsulmi është mbrojtja më efikase, po përmbytin me kallëzime ndaj kundërshtarëve politikë e mediatikë këtë prokurori e  gjykatë (edhe kështu në kolaps), të cilat i kanë bodrumet plotë me dosje të mykura për hallet reale të qytetarëve, si pronat e grabitura etj.

Se për korrupsionin shtetëror e kriminelët “biznesmenë” të cilët bëjnë pallë e nderohen nga policia, as që bëhet fjalë.

Dhe kush e ndërmerr, të gjithën këtë?!

Ky kryeministër, që kapet në mashtrim në çdo fjali që nxjerr nga goja. Ai që ka pesë vjet që në çdo vjeshtë u thotë vlonjatëve të cilët e kanë votuar si kamikazë, se në vjeshtën tjetër mbaron Lungo Mare, por në vend të saj u jep kanabis, trafik, e dhjetëra e qindra bijë nënash, të zhdukur mes peshqve apo të harruar, në burgjet e Italisë e mbarë Europës.

Ai që ndërton çdo ditë rrugë e autostrada virtuale në FB dhe nuk mbyll dot as 10 kilometra autostradë në të dalë të Tiranës, drejt Elbasanit. Që nuk ka burrërinë tu tregojë shqiptarëve as imazhe të shtëpisë së tij në Surrel e të shkojë bashkë me shumë nga ministra e deputetët e tij, të bëjë testin e drogës, për tu mbyllur gojën “shpifësve online”.

Prandaj ajo që shikojnë shqiptarët në pasqyrën e mediave që refuzojnë të vihen në shërbim të Rilindjes, e tmerron Edi Ramën.

Prandaj, pasi dështoi që këto reflektime të realitetit që ka katranosur vetë me plan dhe ndërgjegje në këto 5 vite ti transformojë në mirazhe të bukura i është mbushur mendja, se mund ta thyejë pasqyrën “e keqe”.

Po na bërtet i dëshpëruar, se do të likuidojë këdo që “Borëbardhën” e tij virtuale ua tregon të gjithëve çfarë është në të vërtetë; një shtrigë që po mbretëron në Shqipëri. Një përpëlitje kjo sa tragjike, aq edhe qesharake. Sepse ai- Shtriga që ka krijuar në këto 5 vite- ashtu si në ata filmat horror ka ngecur brenda saj.

Nuk e ka fajin pasqyra `e pushtuar`, por shpirti i keq i cili e ka vendin  në botën e errët, ku Rama ndihet si në shtëpinë e tij!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment