
Një analizë statistikore e fjalëve kyçe të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për ecurinë e reformave në Shqipëri, tregon se autoritetet shqiptare morën nota të ulëta ose shumë të ulëta në shumicën e fushave të vlerësuara ndërsa vlerësimi “mirë” ishte i rrallë e vlerësimi “shumë mirë” nuk u dha për asnjë rast. Qeveria shqiptare duket se ka punuar pak ose aspak në drejtim të reformave të nevojshme për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka marrë nota të këqija në shumicën dërrmuese të fushave të vlerësuara, bëhet e ditur nga një analizë statistikore e termave të përdorur nga raporti i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë këtë vit. Situata nuk duket shumë ndryshe, pasi analizimi i raporteve të progresit për katër vitet e fundit jep një rezultat të ngjashëm.
Komisioni Evropian publikon çdo vit një raport për secilin vend kandidat, në të cilin vlerësohet shkalla e përgatitjes aktuale të vendit për anëtarësim, ecuria e reformave të kryera gjatë vitit të fundit si dhe një udhëzim për punët që duhen bërë për të siguruar përmirësim në raportin e vitit pasardhës. Progresi në krahasim me vitin e kaluar matet me pesë shkallë, nga “hapa pas” deri në “progres shumë i mirë” ndërsa shkalla e përgatitjes aktuale të vendit për anëtarësim vlerësohet me pesë shkallë të tjera: “hapat e parë”, “pak nivel përgatitjeje”, “relativisht i përgatitur”, “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “nivel i lartë përgatitjeje”.
BIRN analizoi raportet e katër viteve të fundit duke kërkuar togfjalëshat e mësipërm dhe rezultati ishte që vlerësimi për Shqipërinë nuk duket shumë pozitiv. Sa për fillim, togfjalëshi “progres shumë i mirë” shfaqet vetëm një herë dhe kjo është në rastin kur shpjegohet metodologjia ndërsa togfjalëshi “progres i mirë” shfaqet në vetëm 12 raste. Togfjalëshi “disi progres” shfaqet në 61 raste ndërsa togfjalëshi “progres i kufizuar” shfaqet në 37 raste. Në 16 raste ekspertët e Brukselit përdorin fjalën “pa progres”, ndërsa togfjalëshi “Hapa pas” nuk përdoret në asnjë rast