BIRN: Si i nisi hetimet OLAF për fondet e bujqësisë dhe shpërdorimin në Shqipëri

0
72

Më 4 maj 2021, një dëshmitar nga Tirana u lidh përmes aplikacionit Skype me Brukselin për të denoncuar një histori abuzimi me fondet e programit të ndihmës për bujqësinë, IPARD II dhe Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR.

Në njërën anë të kompjuterit 

gjendej Romeo Nazarko, 43 vjeç, inxhinier gjeodet në profesion dhe ekspert pronash në Tiranë, ndërsa në anën tjetër dy hetues të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF – institucion i vetëm i mandatuar për të hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian.

Nazarko kishte aplikuar në vitin 2019 në AZHBR për të siguruar mbështetje për zhvillimin e një sipërfaqeje prej 23 hektarësh tokë në vendlindjen e tij në Ersekë – ku planifikonte të mbillte gështenja, lajthi, arra dhe bajame në një sistem zinxhir zhvillimi me banorët e zonës. Por aplikimi i tij u refuzua nga AZHBR.

Me një dosje voluminoze mbi tavolinën e zyrës, Nazarko i tha BIRN dy vjet më vonë se besonte që u skualifikua, pasi nuk ndoqi ‘rrugën e korrupsionit’.

“Unë ndoqa udhëzuesit e BE-së për aplikantët dhe bëra një dosje super të kompletuar. Por e kisha ndarë mendjen; zero bakshish,” tha ai.

Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Në një letër dërguar qeverisë shqiptare, të publikuar nga Oligarkia.al, Drejtoria e Përgjithshme për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural njoftonte se OLAF ka evidentuar parregullsi dhe mangësi serioze në dhënien dhe zbatimin e projekteve të IPARD II në Shqipëri, ndërsa AZHBR ka dështuar sipas tyre që të ushtrojë kontrollet e duhura.

“Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj,” shkruhet në letrën e Komisionit Europian për qeverinë shqiptare.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, e cila drejtoi AZHBR-në në vitet 2017-2021, e relativioi problemin gjatë një fjalimi në Kuvend, ku ndryshe nga letra e Komisionit Evropian, pretendoi se ishte pezulluar vetëm një pagesë.

“Janë kryer 3 vite hetime administrative, por nuk ka prodhuar ende sot një raport të gjetjeve. Kemi bashkëpunuar me OLAF në hetim dhe mirëpresim çdo rekomandim për korrigjim që ta zbatojmë për të përmirësuar më tej proceset,” tha Krifca, ndërsa hodhi poshtë dyshimet për korrupsion.

Hetimi shqiptar në vendnumëro  

Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, nuk është i vetmi institucion që u përfshi në hetime për mënyrën se si janë menaxhuar fondet e programit IPARD II nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Në qershor 2020, OLAF angazhoi edhe prokurorinë shqiptare përmes një informacioni dhe kërkese për hetim të fondeve të AZHBR, por çështja mbeti në vendnumëro dhe nuk ka ende një rezultat.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se çështja për programin IPARD II u regjistrua fillimisht në SPAK dhe hetimet u ndoqën nga prokurori Klodian Braho.

Por dy vjet pas regjistrimit të procedimit penal, SPAK shpalli moskompetencën dhe ia përcolli dosjen Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se bazuar mbi aktet e shpalljes së moskompetencës nga SPAK, kishte regjistruar një procedim penal në lidhje me programin IPARD II më 17 nëntor 2022.

“Nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, moskompetenca është shpallur pasi kanë munguar elementët e veprave penale të korrupsionit pasiv, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,” deklaroi Prokuroria e Tiranës.

Prokuroria e Tiranës e regjistroi procedimin për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal. Por tetë muaj më pas, nuk ka ende persona përgjegjës.

“Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka persona të cilëve u është regjistruar emri në regjistrin e njoftimeve të veprës penale,” deklaroi Prokuroria e Tiranës.

I pyetur nga BIRN për arsyet e shpalljes së moskompetencës, prokurori i SPAK, Klodian Braho tha se nuk mund të komentonte pasi “procedurat ishin në proces”.

Programi IPARD ofron dhjetëramilionë euro në ndihmë të bujqësisë në Shqipëri dhe në vendet e tjera anëtare për kandidim. IPARD II, i cili u zbatua mes viteve 2014 dhe 2020, i dha Shqipërisë mbi 71 milionë euro, ndërsa programi IPARD III pritej ta rriste ndihmën në masën 146 milionë euro.

Programi ofron kryesisht mbështetje për investimet në pasuritë fizike të fermave bujqësore, investimet në lidhje me përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit si dhe diversifikimin e këtyre fermave.

Romeo Nazarko i tha BIRN se u ankua te Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF, pasi të gjitha përpjekjet për ta adresuar shqetësimin e tij në institucionet vendase dështuan. Ai pretendoi gjithashtu se gjatë këtij kalvari, persona të ndryshëm e kishin adresuar tek i njëjti zyrtar i AZHBR për ‘të zgjidhur problemin’.

Nazarko shtoi se para se aplikimi i tij të refuzohej, AZHBR i kishte kërkuar fillimisht të rifresonte dokumentacionin për 21 pika, përfshirë edhe kërkesën për një vërtetim nga Agjencia e Mjedisit që projekti i tij për mbjelljen e pemëve nuk do të shkaktonte dëme në mjedis – një kërkese që ndonëse e quajti absurde, e plotësoi.

Në një përgjigje të dytë, AZHBR ngriti pretendime për kontratën e qirasë së tokës me bashkinë e Ersekës dhe i kërkoi një kontratë nën-qiraje, që sipas tij nuk ishte në përputhje me udhëzimet e BE-së.

“Përgjatë kësaj kohe kisha pësuar një humbje prej 20 mijë eurosh,” tha Nazarko, ndërsa shtoi se i kishte paralajmëruar drejtuesit e AZHBR-së gjatë një takimi se do të bënte ankesë pranë OLAF.

I pyetur nëse ishte thirrur për të dëshmuar nga Prokuroria shqiptare, Nazarko u përgjigj shkurt “JO”./REPORTER.AL

Shkruaj nje koment