
Bizneset në vend vijojnë të neglizhojnë masat e përcaktuara në ligj që duhen ndërmarrë për të garantuar sigurinë e punonjësve të tyre. Referuar të dhënave të Inspektoratit të Punës për vitin që lamë pas pas, përsa i përket çështjeve të sigurisë dhe shëndetit në punë në të gjitha llojet e aktiviteteve ka një rritje të numrit të subjekteve me Këshilla Sigurie dhe Shëndeti në Punë, Dokument Vlerësimi Risku, mjek ndërmarrje, pajisje me mjete mbrojtëse kolektive dhe individuale, koordinator sigurie dhe shëndeti në punë etj, por përsëri hasen problematika në zbatimin e kërkesave ligjore në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Konkretisht, problematikat që janë vënë re janë: mospërdorimi i pajisjeve mbrojtëse individuale, gjë që tregon moszbatimin korrekt të detyrave që ka personi përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë në subjekt edhe pse ekziston; mungesa e informimit të punëmarrësve; mosfunksionimi real i Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (KSSHP) në të shumtën e rasteve; Mungesa e sinjalistikës së duhur në vendet e punës për procese specifike; Moszbatimi me korrektësi i Dokumentit të Vlerësimit të Riskut (DVR).
Konkretisht, nga numri i total i subjekteve të inspektuara prej rreth 10 mijë, rezultojnë se vetëm 21% prej tyre kanë koordinator të sigurisë dhe shëndetit në punë; 49 % kanë një mjek ndërmarrjeje; në 62% të subjekteve kryhet kontroll periodik i punonjësve, 68 % e subjekteve plotësojnë kriterin e masave mbrojtëse individuale, 70 % e subjekteve plotësojnë kriterin e masave mbrojtëse kolektive dhe në 71 % të subjekteve ekziston shërbimi i ndihmës së shpejtë.