
Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar mbrëmjen e sotme (9 mars) kontrolle në banesën e partneres së ish zv kryeministrit Arben Ahmetaj.
Gazetarja e News 24, Klodiana Lala ka dhënë detaje lidhje me këtë aksion. Duke folur në emisionin ‘Open’, Lala tha se kontrollet kanë zgjatur afro dy orë dhe janë zhvilluar në shtëpinë e ish-gruas së Ahmetajt.
“BKH ka mbërritur sot në dy banesat që rezultojnë të jenë në pronësi të partneres aktuale dhe ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt. Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, në vilën e partneres së tij, janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.
Në shtëpinë e ish-bashkëshortes, që ka filluar në orën 14:40 dhe ka përfunduar në orën 15:20 minuta, rezulton se nuk janë gjetur para, ndërsa janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.
Kujtojmë se Ahmetaj ka një hetim të hapur për aferën e Inceneratorëve, hetim që kryesohet nga Altin Dumani, që është dhe kreu i SPAK.
Në muajin nëntor të 2022, prokurorët e SPAK kanë siguruar një akt inspektimi mbi kompjuterin e Klodian Zoto, i shpallur në kërkim për disa vepra penale për incenratorët. Në këtë akt pretendohet se ka të dhëna për disa pagesa të kryera nga ky i fundit për Ahmetajn dhe partneren e tij, për hotelet ku kanë qëndruar jashtë vendit.
Nuk është në hetim Ahmetaj, por roli i tij, për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë dhe veprimet e ditës së sotme.
Personat që kanë qenë në këto dy ambiente, pasi është kryer kontrolli nga BKH, kanë firmosur pa probleme procesverbalet.