Boomerangu i Ramës/ Jo përplasje televizive me ish deputetët

0
209

Kryeministri Rama e kaloi momentin kur vinte bast se “Luli bënte bllof” dhe kur i merrej fryma para kamerave të ERTV-së. Tani pas djegies së mandateve të opozitës ai ka vendosur të luajë të fortin. Edhe sot, në mbledhjen e grupit parlamentar ai ka porositur deputetët të vazhdojnë normalisht punën, të përgatiten për zgjedhjet lokale. Shenjë e kësaj moskokçarjeje artificiale ishte edhe dërgimi i mandateve të djeguar të PD –LSI menjëherë pranë KQZ, ndërkohë që Gramoz Ruçi ligjerisht mund t’i mbante ato për 30 ditë.

Por, lëvizja më e çuditshme e Edi Ramës është ajo për të bojkotuar emisionet televizive ku marrin pjesë përfaqësuesit e opozitës me pretendimin se ata tanimë nuk përfaqësojnë asgjë. Në fakt pavarësisht nga arma politike që kanë zgjedhur për të vazhduar betejën dy partitë që ikën nga parlamenti, shprehin vullnetin e afro 40% të shqiptarëve që i janë drejtuar kutive të votimit (edhe sikur zgjedhjet e 2017 ti konsiderosh si normale).

Në këtë kuptim, strategjia e Ramës për të ndërprerë komunikimin dhe ballafaqimin me ta e bën edhe më fallco mbretërimin e tij në krye të vendit.

Për ditë ai po shfaqet me një model autokrati që preferon vetëm debatet me freshistë që i organizon Top Shou, apo ato me studentë të urtë që i ofrojnë rektorët servilë.

Prandaj nëse strategjia e Ramës që ta zhvlerësojë aktin e djegies së mandateve të opozitës, do të shkojë deri në farsën e shtirjes sikur ajo nuk ekziston, duke bojkotuar edhe ballafaqimet ne studio televizive me të, shumë shpejt do ti kthehet në boomerang. Sepse ajo përpos një parlamenti fallco, do ti ofrojë edhe një mjedis politik fallco. Dhe kështu do të realizohet pikërisht qëllimi i atyre që dogjën mandaten. Lënien përballë shqiptarëve të një pushteti që nuk do të japë llogari askund dhe ku zemërimi nuk ka as një valvul ku të shkarkohet. Madje as verbalisht në debate.   

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here