
Nga Indrit Vokshi
Braktiseni Sali Berishën dhe ringrihuni!
Sali Berisha bën mirë të mos dalë më në televizor. Po flet me hile, me shumë hile. Në një kohë kur ka humbur më thellë se gjithkush, më thellë se në çdo kohë, mban shpresën tek hilja e manipulimi i njerëzve.
Po flet me hile sepse po thotë mora 500 mijë vota bashkë me Metën. Edhe çfarë? Quhet humbës! Ka marrë 7 bashki, ka humbur Shkodër, Tropojë, Kukës, Vaudejës e me radhë. Bashki të cilat sjanë humbur e vetëm ky mund t’i humbte.
Basha me Kryemadhin morën 729 mijë vota e prapë quhen humbës. Vetë Berisha e quajti humbës Bashën me 729 mijë. Tani quan veten fitues me 500 mijë.
Me hile, me qëllim manipulimin. Ato nuk janë vota që janë dhënë me qëllim që të vazhdojë Sali Berisha. Personalisht prej 10 shtatorit 2021 kam shkruar që Berisha duhet të ikë të mos bëhet pengesë.
Mirëpo 3 ditë para zgjedhjeve në Ora News, kam bërë thjrrje nga ekrani të votohet Igli Cara, Luçiano Boçi, Pashk Gjoni. Mijëra të tjerë si unë në 61 bashki, kanë votuar për kandidatët si persona, jo që të vazhdojë Sali Berisha.
Janë mijëra njerëz që nuk e duan Sali Berishën, nuk duan ta shohin në ekran por kanë votuar kandidatët.
Tani, sot, në vend që të heqë dorë nga ajo rrugë katastrofale dhe humbëse, del flet me hile, thotë kanë votuar 500 mijë që të rrijë ai. Jo, nuk është e vërtetë. Nuk kanë votuar që të rrijë ai.
Sot është detyra e atyre që kanë votuar për kandidatët dhe jo personalisht Sali Berishën që të distancohen publikisht prej tij. Ta braktisin e të mos e shkatërrojnë më tej opozitarizmin shqiptar.
Shqipëria ka nevojë për Opozitë reale, të shumë faktorëve, shumë flukseve, shumë rrjeteve shoqërore, kundër Edi Ramës. Ska nevojë për opozitën si mjet personal të Sali Berishës e Ilir Metës.