Bravo Blendi Fevziu !

0
369

Nga Artan Fuga

Unë nuk jam ndonjë ndjekës i zjarrtë i emisionit “Opinion”. Mbase e kam gabim. Eshtë formati që krijon probleme për shijet e mia. Por, kjo është puna ime.

Amà gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu që shkon bën emisionin e tij intervistë te Çadra për Liri Politike, (CLP) tregon profesionalizëm, dinjitet dhe fuqi mediatike.

I keni parë sesi gazetarët e tjerë, të shkretët, nuk i qasen dot asaj zone sikur atje të ishin të mbyllur të sëmurë me:

kolera,

lebrozë,

me murtajë,

me linë e dhenve,

me botkin e sëmundje të tjera ngjitëse?

Gazetarët sillen rrotull Çadrës për Liri Politike sepse kanë frikë të hyjnë brenda, dhe bëjnë analistin vërdallë Çadrës, kurse analistët bëjnë propagandë të paguar cash ose troç rreth gazetarëve nëpër studio.

Ka edhe gazetarë dhe gazetare që kujtojnë se merita e gazetarisë është certifikatë virgjërie! Hajde të të shoh pak! Edhe ti i virgjër qenke! Nuk qenke përzierë me njerëz me lepra, murtajë, kolerë dhe me AIDS!

Unë e di mirë që gazetarët digjen për të shkuar dhe raportuar lajmet që andej.

Por, nuk i lënë.

Kush? Pronarët? Jo! Mos u gaboni o opozitarë! Ashtu duket në pamje të parë!

Edhe këta në thelb përse të mos duan të rrisin audiencat e tyre dhe të kenë një shërbim informativ cilësor?

Ata nuk i lë politika, iu ka marrë frymën. Pse? Sepse mënyra e ndërtimit të peizazhit mediatik audio-viziv, si politikë publike, është e gabuar, e shtrembër, po e vdes median televizive shqiptare, është e vjetruar, e shekullit të kaluar, dhe i ka kthyer televizionet në altoparlantë të propagandës, prandaj audiencat mbyllin sytë dhe veshët.

Ja përse e mbaj televizorin tim në frigorifer dhe herëpahere shkoj në ndonjë kafe për të parë ndonjë emision!

Edhe gazetarët, edhe pronarët janë viktima që po vazhduan kështu do të shkojnë në dreq, bashkë me ne!

Bravo Blendi Fevziut që edhe pse mes masës të irrituar me qeverisjen e gabuar, nuk pranoi që ekrani t’i bëhej miting. Atij i them profesionalizëm unë!

Profesionalizmi është dinjitet personal, politika është fakt kolektiv.

Një keqkuptim i vogël. Shërbimet e komunikimit të Çadrës për Liri Politike (CLP) duhet t’i kërkojnë ndjesë publike z. Blendi Fevziu!

Zoti Lulzim Basha me të drejtë donte t’i jepte zë qytetarit të thjeshtë që i kanë mbyllur gojën, ai prandaj ai është aty. Ai aty nuk mund të jetë veçse i ashpër, i vendosur, flakë për flakë, Përndryshe kot do të qëndronte aty!

Por, edhe Blendi Fevziu nuk mund ta ndryshonte formatin e intervistës në një “vox pop”.

Secili nga ata bëri atë që duhej. Sherri është i mirë në këto raste!

Ajo që ndodhi aty do të shpjegohet gjatë në bankat e shkollës, është rast studimor!

Merita e Blendi Fevziut është se tregoi se ku është vendi sot nga duhet raportuar !

Atje, ku ndodh ngjarja!

Unë e di se nuk ka gazetar që i thotë vetes se ka dinjitet profesional që të mos dojë të raportojë që andej.

Po censura e ka zënë për fyti median shqiptare?

E turpëron gazetarin para gruas, fëmijës, prindërve të tij!

E mo langaraq, e mo legen, duket sikur i thonë, po bën gjoja gazetari, hë! (Dhe gazetari i shkretë, i pafaj, nuk di ku ta fusi kokën.)

Është tmerr kur të përbuz gruaja si i paburrë! Sidomos kur nuk ke faj!

Njësoj si një mjek mos shkonte te i sëmuri, sikur berberi të mos pranonte të qethte, bariu të mos ushqente qengjat!

Çfarë turpi!

Pse? Sepse konfigurimi, administrimi, struktura e kompanive, platformat e medias janë të shekullit të kaluar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here