Nga Panajot Cakalli
Njeriu e dashuron jetën dhe e konsideron atë si dhuratën më të çmuar të natyrës.
Por si mund të dashurosh luftën,sepse jeta luftë është.
Kjo jetë të bën luftëtar të pamëshirshëm,sepse vet kjo luftë është e pamëshirshme.
Njeriu jeton një paradoks: aplikon pamëshirën dhe pretendon arritjen e një ideali të paarritshëm,lumturinë personale.
Njeriu është si Drinosi – duhet të jesh det për të pritur një lumë kaq të ndyrë pa u ndotur.
Për fat të keq kjo botë është e mbushur me lumenj të tillë që mbytin aspiratën e njeriut drejt lumturisë.
Për pasojë individi humbet ëndrrat dhe dëshirat, digjen idealet e tij nën flakën e fatalitetit të përgjithshëm.
Ky fatalitet e viktimizon,e ndyrëson ndërgjegjen njerëzore duke krijuar plagë të thella dhe të pashërueshme shpirtërore, që konsistojnë në humbjen e shpresës për një botë më të mirë.
Mes këtij pesimizmi të thellë, shpërthen optimizmi i çmendur.
Njeriu revoltohet, rebelohet, po kujt vallë t’i drejtohet ?
Kë të shënjestrojë më mirë: botën,apo kokën?!
Në kushtet kur ekzistenca vendoset në pikëpyetje, njeriu bëhet fajtor i vetvrasjes së tij fizike.
Dhe kush na solli në këtë katandi ?
Kush tjetër mund të jetë veç politikanit të etur për pushtet, një njeriu të transformuar në derr nga harbutëria dhe pangopësia, arsye të mjaftueshme për ta shndërruar edhe në një kanibal gjakftohtë.
Kasaphanat e tij kanë gjakosur çdo cep të globit dhe çdo pjesë-trupi të robit, të skllavit të një politike manipuluese, ku dëshirat e kombit nuk janë më triumfuese.
Kur ambicia mund të dëshirën dhe e keqja mund të mirën, lumturia personale e varur në një fije këputet përfundimisht nga ata që bërtasin:”Prije!”.