Brigjet e Puglias, pikë referimi për trafikantët e drogës. Raporti i DIA-s shigjeton shqiptarët

Brigjet e Puglias në Itali, janë pikë referimi për trafikantët e drogës. Është kjo ajo që thuhet në raportin e fundit të DIA për Parlamentin italian, i cili, duke u fokusuar në fenomenin e trafikut të drogës në rrugën e konsoliduar të Adriatikut, Shqipëri- Puglia, konfirmon se si krimi i organizuar në Puglia, duke shfrytëzuar kanalet e furnizimit kombëtar dhe të huaj, mbikëqyr flukset e drogës që vijnë.

Kryesisht në Adriatik, trafikantët kalojnë tranzit përmes rajonit dhe janë të orientuar drejt qendrave kombëtare apo të huaja të tregtimit të drogës.

Hetuesit e DIA-s evidentojnë se, “Marrëdhëniet me bandat kriminale shqiptare mbeten të konsoliduara, të cilat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm furnizimi me marijuanë, heroinë, droga sintetike me origjinë aziatike dhe kokainë të importuar në Shqipëri nga narkotikët kolumbian. Në marrëdhëniet me bandat kriminale shqiptare del në pah tendenca e këtyre të fundit për të përdorur kanalet e menaxhuara nga bandat puliane për transportin e drogës edhe përtej rajonit drejt tregut ndërkombëtar”.

Në këtë drejtim, janë domethënëse rezultatet e operacioneve të shumta të kryera në territorin rajonal, “të cilat kanë dëshmuar aftësitë e krimit pulian në lidhje me procedurat e shkarkimit dhe ruajtjes së drogës. Lidhja e ngushtë që lidh Italinë dhe Shqipërinë nga pikëpamja e ndërlidhjeve kriminale ka nxjerrë në pah nevojën e zbatimit të bashkëpunimit tashmë ekzistues policor mes dy vendeve”.

Në këto kushte, siç raportojnë mediat italiane, DIA ka promovuar një iniciativë që synon nxitjen e trajnimit në favor të disa hetuesve shqiptarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke vënë në dispozicion të policisë së Shqipërisë, përvojën më të mirë hetimore kombëtare për çështje strategjike, siç është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment