Burgu ‘bën me zemër’ Lefter Kokën, shtrohet në spital

0
150

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është shtruar në spitalin e burgjeve. Mësohet se Koka ka shfaqur çrregullime të sistemit kardiak dhe ditën e djeshme, 20 janar është transferuar në spitalin e burgjeve.

Ish-ministri po qëndron në qelitë e paraburgumit tek 313 me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Ai u arrestua më 14 dhjetor në kuadër të hetimeve për koncesionin kontrovers të incineratorit të Elbasanit.

Veç Kokës, SPAK kërkoi dhe arrestimin e shtetases Stela Gugallja, e cila është pronarja e kompanisë Albtek Energy si dhe Klodian Zotos, pronar i kompanisë Integrated Technology Services, të cilët vijojnë të jenë në kërkim.

Mbi të dyshuarit rëndojnë akuzat e korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të pastrimit të parave.

Sipas SPAK, Koka ka lejuar përfitime të padrejta nga ana e pronarëve të kontratës së koncesionit, e cila u lidh përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë pa shpallje nën justifikimin e gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa Klodjan Zoto dhe Stela Gugallja akuzohen se kanë kryer transaksione të rreme me paratë e marra nga buxheti i shtetit për llogari të kontratës koncesionare.

Gjithashtu, SPAK konkludon se Koka në cilësinë e ish-Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare të sipërcituara përfitime të parregullta monetare në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara prej tij apo familjarëve.

Kjo është goditja e parë e korrupsionit në nivel të lartë nga SPAK dhe u lavdërua nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë si tregues i suksesit të reformës në drejtësi ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha akuzoi Edi Ramën si përgjegjës final të aferës së incineratorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here