Bypassi i Fierit drejt përfundimit, mbyllet qarkullimi deri më 1 maj

Bypass-i i Fierit është drejt përfundimit dhe qarkullimi është i mbyllur deri në 1 maj, duke nisur që nga dita e nesërme, 27 janar.
Qarkullimi i mjeteve do të devijohet nga rruga e vjetër e cila kalon përmes Levanit.
ARRSH, në koordinim dhe me Policinë Rrugore, kanë marrë të gjitha masat për të menaxhuar trafikun.
Për të mundësuar përshpejtimin e ritmeve të punës, duke e vendosur atë në funksion të plotë të përdoruesve të rrugës përpara fillimit të sezonit veror, Autoriteti Rrugor Shqiptar si dhe kontraktori i punimeve kanë kërkuar mbylljen e përkohshme të tij, deri në përfundim e plotë të punimeve.
Sipas njoftimit për shtyp, bëhet e ditur edhe plani i masave, që janë marrë për periudhën në të cilën qarkullimi në këtë segment do të jetë i bllokuar.
Tashmë punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Praktikisht, për të menaxhuar trafikun në një situatë ku punohet, është shumë e vështirë, ka kosto. Ndalimi i qarkullimit të automjeteve në bypassin e Fierit, deri në përfundimin e plotë të tij, do t’i japë mundësi kontraktorit që të punojë me ritëm më të lartë, por njëkohësisht duke mos rritur edhe kostot.
Bypassi do të mbyllet ditën e hënë në datë 27, për t’i dhënë mundësi kompanisë që të punojë sa më parë për të mbyllur të gjithë problematika.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, kërkoi mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, por shtoi se bllokimi i këtij segmenti bëhet me qëllim përshpejtimin e punimeve për përfundimin e plotë të tij.
Sipas grafikut të punimeve, ministrja bëri të ditur se në datën 1 maj ky segment do të jetë i përfunduar në të gjithë gjatësinë e tij dhe i hapur për t’u aksesuar nga të gjithë drejtuesit e automjeteve.
Shoferëve do t’ju duhet të aksesojnë sërish Vlorën përmes rrugës së Levanit, por kjo është për një kohë shumë të shkurtër, pasi më 1 Maj i gjithë segmenti i bypass-it të Fierit do të jetë totalisht i aksesueshëm në të dyja krahët dhe sipas të gjitha parametrave të sigurisë rrugore për të gjithë drejtuesit e automjeteve” , u shpreh ministrja Balluku.
Mbyllja e përkohshme e bypass-it do të mundësonte punimet e njëkohshme në të dyja karrexhatat, për t’i përfunduar sa më parë punimet e fundit.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment