“Byroistët e fundit. Fol, Sali! Vetë na ke thënë se Rama nuk rrëzohet me votë!”

0
221

Nga Sebastian Zonja

“Byroistët e fundit. Fol, Sali! Vetë na ke thënë se Rama nuk rrëzohet me votë!”

Nuredin Dumani, eksponent i rrezikshëm i krimit të organizuar, pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë, rrëfeu dhjetëra krime – vrasje, porosi për vrasje, vjedhje, shantazh, grabitje – të dekadës së fundit.
Një person i vetëm zbardhi gjysmën e vrasjeve, vjedhjeve dhe grupeve kriminale të dekadës së fundit. Jo se policia, gazetarët e kronikës dhe qytetarët nuk flisnin për këto, por kur flet në vetë të parë një eksponent nga brenda, ndryshon puna.
Imagjino sikur një politikan i lartë të vendoste të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë! Apo siç e quajnë veten disa socialistë, bashkë me ta edhe Basha – Dashnorët e Reformës në Drejtësi!
A ju shkon në mendje se mund të ndodhë?
Gjasat janë të vogla. Sapo u tha se po bashkëpunon me drejtësinë Lefter Koka, dolën avokatët dhe e mohuan publikisht. Mesazhi ishte publik – Mos kini frikë, do i marr me vete në varr gjërat!
Dolën zëra se mund të flas Saimir Tahiri, por me ç’duket edhe ai ka vendosur t’i marr me vete në varr ato që di.
Ngjarjet kriminale në politikë janë ngjashëm si në krimin e organizuar – të gjithë bashkë për pará, të gjitha klanet kundër njëri – tjetrit për pushtet.
E ka mirë F. Lubonja kur thotë se kemi tre banda.
Sot Berisha është “non – grata” dhe gjithë ditën akuzon Bashën dhe Ramën se ja kanë qëndisur ata, por rujna Zot të kopsisë ndonjë akuzë në SPAK kundër tyre!
Rama akuzon gjithë ditën Berishën për korrupsion e vrasje, por rujna Zot të kopsisë ndonjë akuzë në SPAK kundër Berishës!
Bashës iu dogj karriera politike nga Berisha, por rujna Zot të ketë kopsitur ndonjë akuzë në SPAK!
Meta u akuzua nga Tom Doshi se deshte ta vriste, por rujna Zot të fliste ndonjëri për allishverishet e tjetrit!
Ngjashëm me mafien italiane, siç kanë ata Kodin e Heshtjes “Omertá”, këta byroistet e fundit do t’i marrin me vete në varr krimet.
Janë pengje të epokës së tyre. I ka mësuar Enveri. Partia është mburoja perfekte për të kryer krim shtetëror.
Sali Berisha ngjan se kërkon të luajë rolin e Giulio Andreotit, politikan italian me shumë dritë-hije, ku qëndroi në politike se tha batutën e famshme – Unë jam arkiva.
Edhe Berisha ka thënë në Kuvend se është arkiva. Arkiva për çfarë? Për të ruajtur nëpër skedarë krimet e tranzicionit, ish-spiunët e Sigurimit?
Giulion e largoi nga politika aktive operacioni italo-amerikan “Mani pulite”, ku amerikanët hoqën fijet Sovjetike në politikë dhe gjyqësori lau duart me politikanët e lidhur ngushtë me mafian. Precedenti është, thjesht pak dekada më vonë po vjen në Shqipëri.
Fol, Sali! Vetë ke thënë se Rama nuk rrëzohet me votë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here