Çdo shqiptar ka 3200 euro borxh!

0
149

Të dhënat e konsoliduara të publikuara nga Kuvendi, tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin 1,107.3 miliardë lekë, ose rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2% e PBB, ose 3210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Për sa i përket borxhit të brendshëm shtetëror, gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitit paraardhës, në përputhje me politikat menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj risqeve, ka vazhduar tendenca e rritjes së peshës së titujve afatgjatë (kryesisht titujt me afat maturimi mbi 5 vite). Gjithashtu, pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme është reduktuar, pasi edhe gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë emetim të këtyre titujve.

Kostot e borxhit për njësi janë ulur, kryesisht si rezultat i normave të interesit në nivele ende të ulëta, si dhe zëvendësimit të një pjese të borxhit që maturohet me borxh më pak të kushtueshëm. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, shërbimi i borxhit në vlerë absolute është rritur, si rrjedhojë e rritjes së stokut të borxhit, si dhe për shkak të parapagimit të interesave dhe primit që burojnë nga procesi i parablerjes së pjesshme (buyback) të Eurobond-it ekzistues.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here