Banorët në rajonin lindor të Kent, në Britani u zgjuan sot herët me qiellin ngjyrë rozë. Fenomeni i pazakontë ka shqetësuar banorët e madje sipas raportimeve të mediave, shumë prej tyre janë trembur për fundin e botës.
Në një prej fotove të shumta që qarkulluan në rrjet, qielli dukej krejtësisht i mbushur me ngjyrën e frikshme rozë, madje dhe me një pikë origjine që dukej në distancë.
Mes komenteve shkruhet: “Mendova se ishte fundi i botës, po prisja që të fillonin të zbrisnin kalorës”, ndërsa një tjetër: “Mendova se ishte personazhi Zuul i filmit Ghostbusters.”
Megjithëse shkaku i fenomenit ende nuk është vërtetuar, dyshohet se fenomeni është shkatuar prej dritave artificiale të një kompanie bujqësore që po rrit miliona domate në sera.