Cfarë po ndodh me teatrin tonë?

0
124

Nga Brikena Metaj

Sot është dita botërore e teatrit. Sot është dita kur teatrot duhet të gëlonin nga shfaqjet. Fëmijëria më sjell ndërmend shfaqje të shumta teatrore. Më kujtohet e shtuna gazmore kur me padurim prisja të shkonim në teatrin e kukullave në Sarandë për të parë kukullat e xhaxhi Taqos apo më vonë në skenën e kinoteatrit për shfqje të ndryshme, pak rëndësi kishte nëse ishin dramë, komedi apo thjesht estradë.
Skena e teatrit na mblidhte përherë.
Ende i kam në kujtesë shfaqjet teatrore që transmetoheshin rregullisht në televizion. Kujtimet e tyre kanë mbetur të pashlyera. Ashtu si mbeten përherë kujtimet e fëmijërisë.
Më kujtohen edhe inskenimet shkollore dhe dëshira për të interpretuar.
Me kohën e kuptova se kjo dashuri për skenën, teatrin, letërsinë, artin në përgjithësi, ndikoi shumë në formimin e asaj që jam sot.
Kur erdhi momenti që të konsolidoja rrugën që doja të merrja në të ardhmen time, në përfundim të shkollës së mesme, dy ishin drejtimet që doja të merrja: akademia e arteve ose gazetaria. Fatkeqësisht kufizimet e kohës nuk më mundësuan asnjërën. Zgjodha gjuhë-letërsinë si mundësinë më të afërt me to. Gazetarinë munda ta realizoj me shumë vite vonesë, aktrimi mbeti i realizuar vetëm në ato pak momente të jetës shkollore.
Harrohem ndërsa flas për veten, por kujtimet m’u zgjuan sot në këtë ditë, kur shoh me keqardhje gjendjen ku ka përfunduar artisti, arti, teatri.
Në Gjirokastër e kemi një godinë teatri, një trupë teatrore dhe shumë probleme. Asgjë nuk të nxit dëshirën të shkosh drejt asaj skene të vjetëruar. Ndonëse do të doje të kishe mundësinë të përzgjidhje mes shfaqjeve teatrore dhe ndoshta thjesht të kaloje një mbrëmje ndryshe, “të kulturohemi” si themi shpesh me shaka, mundësitë e përzgjedhjes janë të pakta, shfaqjet teatore janë të pakta pavarësisht përpjekjeve të trupës së teatrit.
E fundit që më ka lënë mbresa në kujtesë, është vënia në skenë e një shfaqjeje teatrore për fëmijë. E para shfaqje pas shumë vitesh mungese, por ishte e trishtueshme të shihje se nën kostumet që bënin fëmijët të qeshnin ishin aktorë të moshuar. Po aq e trishtueshme është të shohësh se shpesh detyrohen të interpretojnë role personazhesh me moshë më pak se trefishi i moshës së tyre dhe e gjitha kjo për mungesë të prurjeve të reja.
Çfarë po ndodh me teatrin? Pse po largohen të rinjtë? Pse ka humbur jeta kulturore?

Shkruaj nje koment