Çmimet e larta ulin konsumin, më shumë bukë, më pak mish

0
29

Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, familjet shqiptare kanë rritur konsumin për bukën dhe mishin e pulës, ndërsa është ulur përdorimi i mishit, sallamit, vajit dhe bulmetit.

Kompanitë pohojnë se rënia e konsumit ka arritur deri në 40% krahasuar me vjet. Edhe në bare dhe restorante, këtë vit po konsumohet më pak. Bizneset kërkojnë ulje të taksave, pasi tkurrja e konsumit parashikohet të japë efekte në falimentime dhe shkurtime të vendeve të punës.

Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet.

Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.

Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4%, niveli më i lartë në 20 vjet, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburanteve.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.

Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.

Shqetësimi më i mprehtë për strukturat e shërbimit është mungesa e madhe e fuqisë punëtore dhe emigracioni i të rinjve që ka shtuar kostot e shërbimit.

Çmimet e katër artikujve ushqimorë prej fillimit të muajit prill kontrollohen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut pohojnë se mbajtja në kontroll e çmimeve nuk ka ndikuar te rritja e ekonomisë së shkallës (konsumit), por te shtimi i marzheve të fitimit, pasi ka nxitur dyqanet e vogla të produkteve ushqimore për të shtrenjtuar çmimet e produkteve të tjera.

Në anën tjetër, prodhuesit, përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale, vuajnë konkurrueshmërinë e produkteve të rajonit, pasi paguajnë më tepër taksa.

Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë 

përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.

Kostot nga taksat dhe çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar edhe për përpunuesit e qumështit pas heqjes së TVSh-së 6% të kreditueshme nga 1 janari 2022.

Përfaqësuesit e këtyre industrive njëzëri kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me uljen e TVSh për produktet e shportës, në ndihmë të konsumatorit.

Çmimet e larta tkurrin konsumin e mallrave të shportës

Konsumi i produkteve të shportës për mallrat e shportës, si: vaj luledielli, oriz, makarona dhe sheqer për muajin korrik është me rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Përfaqësues të kompanisë “Teuta”, një nga distributorët kryesorë të mallrave ushqimore, thanë për “Monitor” se tkurrja e konsumit është ndikuar nga blerjet e panikut të konsumatorit, pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, por edhe për shkak të stinës së verës, që karakterizohet për rënie të kërkesës te disa mallra të shportës ushqimore.

Rrjeti i supermarketeve “Big Market” pohoi për “Monitor” se për 20 ditët e para të muajit korrik, të ardhurat janë 8% më shumë krahasuar me vjet.

Përfaqësuesit e “Big Market” shpjeguan se tendenca e konsumit shfaqet e njëjtë në raport me vjet, ndërsa rritja e të ardhurave është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për produktet e shportës të mallrave të importit për shkak të tendencës globale.

Administratori i një prej kompanive të mëdha të importit të vajit në vend, Aredi Sado, shtoi se aktualisht, konsumi i vajit të lulediellit është 30 deri në 40% më pak se vjet. Për muajt prill-qershor të 2022, konsumi i vajit të lulediellit u tkurr 50% në raport me vjet, nga rezervat që krijuan konsumatorët të frikësuar nga çmimet e larta dhe mungesa e produktit për shkak të fillimit të luftës.

Përfaqësuesi i kompanisë “Olim” thotë se tre janë arsyet kryesore të rënies së konsumit: emigracioni i lartë dhe mungesa e madhe e turistëve, kryesisht emigrantëve që nis pas datës 15 korrik, sasia ende e lartë e vajit të magazinuar nga konsumatori dhe rritja e lartë e çmimit.

Shkruaj nje koment