Çmimet e perimeve u rritën me ritmet me të larta që nga shkurti 2019

Çmimet e zarzavateve pësuan rritje të ndjeshme gjatë muajit korrik si rrjedhojë e flukseve të larta të eksporteve, që po ndikojnë në pakësimin e ofertës në tregun vendas.

Të dhënat e INSAT tregojnë se gjatë korrikut çmimet e zarzavateve kryesisht domates dhe patateve pësuan rritje vjetore 17 për qind. Ky ritëm ishte me i larti që nga shkurti 2019, ku çmimet e këtij grupi pësuan rritje me 26%.

Tregtarët e pakicës në vend pohojnë se shkak për rritjen e çmimeve në kulmin e prodhimit vendas mbeten eksportet e ushqimeve. Një kilogram domate po arrin edhe 100 lekë për kilogram nga rreth 50 lekë që ishte në fillim të sezonit gjatë marsit.

Teksa prodhimi bujqësor ishte i mbarë këtë vit, eksportet e domates hasën në vështirësi në fillim të vitit për shkak të valës së dytë të pandemisë, në shumë vende të Europës dhe Rajonit. Çmimet e domateve ishin të ulëta në pranverë, jo të zakonta për periudhën. Rritja nisi ne Korrik dhe tani në gusht për shkak se kontratat e eksportit rriten volumet në këtë periudhe duke lënë boshllëk në vend.

Kjo situatë vjen si përsëritje këtë vit pasi eksportet e zarzavateve kanë pësuar një rritje të shpejtë vitet e fundit. Përqendrimi i kërkesës së jashtme në pak muaj e vë tregun vendas në presion si nga sasia dhe cilësia duke ndikuar kështu në rritjen e çmimeve.

Ndër vite, çmimet e perimeve dhe frutave janë rritur me ritme më të larta se, grupet kryesore të shportës së mallrave të konsumit që INSTAT i referohet për matjen e inflacionit. Fermerët janë të shqetësuar se nuk po orientohen që të prodhojnë sipas nevojave të tregut.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment