
Në Europë, inflacioni ka nisur të stabilizohet pas rritjes historike që shkaktoi lufta në Ukrainë, por në Shqipëri po ndodh e kundërta, pasi çmimet po rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar problemet strukturore të ekonomisë vendase, sidomos sektorit të prodhimit.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, një metodologji e Eurostat tregoi se, inflacioni në Shqipëri gjatë muajit tetor ishte 4.7%, shumë më i lartë se inflacioni mesatar në BE që për të njëjtin muaj që ishte 3.6%.
Gjithashtu treguesi rezultoi shumë i lartë se matjet kombëtare nga IÇK-ja që në tetor ishte 3.8%.
Në muajin Tetor, ndryshimi mujor i matur nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,4%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,6%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%, “Transporti” me 0,2% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,5%, pasuar nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,1% secili./Monitor