Çmimet ‘paralizojnë’ turizmin, eksperti: Jugu i papërballueshëm, turistët dynden drejt Velipojës e Shëngjinit

0
165

Rritja e çmimeve ka dhënë efekte negative edhe për turizmin. Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, është vënë re një tkurrje e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri për ta kaluar pushimet.

Por edhe ata turistë vendas që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri, sidomos familjet, kanë preferuar më mirë qëndrimin në apartamente. Ankesat nga hotelet kanë qenë të shumta sidomos në Sarandë e Velipojë, ku nuk po shfrytëzohen të gjitha kapacitetet.

Eksperti i turizmin Rrahman Kasa tha në një intervistë për Ora News se këtë vit Shqipërisë i mungojnë afro 200 mijë turistë edhe për shkak të luftës në Ukrainë.

“Mbi 50% e turistëve që vijnë në Shqipëri  janë nga Kosova, por këtë vit  ka një rënie për shkak të rritjes së çmimeve. Shumë familje zgjedhin apartamente dhe jo resorte pasi nuk i përballojnë dot çmimet. Kët vit janë rreth 200 mijë turistë të munguar për shkak të luftës në Ukrainë. Referuar  situatës, deri më tani kemi shumë ankesa nga hotelet sidomos në disa destinacione siç është Saranda, pjesa e bregdetit jugut, por edhe Shëngjini nuk është në shfrytëzim të kapacitetit të plotë të atyre numrave apo hoteleve si dhoma. Më mirë paraqitet zona e Durrësit, Golem e cila vepron me turizëm të organizuar, që ka filluar pas datës 20 Maj. Ato hotele kanë qenë me kapacitet të plotë”, tha Kasa.

Kasa u shpreh se Shëngjini dhe Velipoja aktualisht kanë çmimet më të lira dhe po frekuentohen më shumë nga turistët.

“Pas krizës së rritjes së çmimeve, shumë qytetarë shqiptarë dhe të huaj nuk i përballojnë dot çmimet. Kjo varet nga zonat e ndryshme  të Shqipërisë. Shëngjini e Velipoja kanë çmime më të lira, duke bërë që turistët të shkojnë atje. Ndërkohë jugu është i papërballueshëm për pjesën më të madhe për pjesën e qytetarëve. Shkalla e rritjes së çmimeve është më e lartë se kudo tjetër”, tha Kasa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here