“Çmimet skandal”, VOA: Inflacioni i lartë në Shqipëri, qytetarët në vështirësi ekonomike

0
169

Autoritetet thonë se vendimi i fundit i qeverisë që mban të pandryshuar çmimin e energjisë për familjet që konsumojnë deri në 800 kwh në muaj, përfshin 96% të konsumatorëve të kësaj kategorie që kanë të ardhura të ulëta, mesatare dhe të larta. Pjesa tjetër mbi këtë fashë do paguajë me çmimin e tregut. Zyrtarët thonë se edhe 95% e bizneseve, kanë çmim të subvencionuar të energjisë dhe s’kanë patur rritje. Por për ekspertët niveli i lartë i varfërisë në vend i minimizon këto mbështetje financiare.

“Vërtet në themi që inflacioni mesatar është në nivelet 6.9 apo 7.1% por në fakt duke patur parasysh që një pjesë e rëndësishme e familjeve shqiptare rreth 40% jetojnë në nivelin e varfërisë relative, çdo rritje cmimesh ndikon direkt në uljen e konsuimit, të fuqisë blerëse, në uljen e nivelit të jetesës, dhe minimizon efektet e mbështetjes së politikave sociale”- i tha Zërit të Amerikës Ardian Civici, Doktor i Shkenacave Ekonomike.

Por autoritetet janë optimiste, dhe flasin për qëndrueshmëri ekonomike duke u bazuar në disa të dhëna.

“Konsumi ka vijuar ritmin rritës. Instat ka publikuar të dhënat për tregëtinë me pakicë, e cila për tremujorin e dytë rezultoi në nivelin 6.1%. Tregëtia me pakicë, është një tregues që i përafrohet nivelit të konsumit në vend. Kemi dhe tregues të tjerë që flasin për rritje të aktivitetit ekonomik në vend, rritje të numrit të bizneseve, apo rritja e numrit të të punësuarve në ekonomi. Të dyja këto të dhëna në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, paraqiten me rritje”- u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Zyrtarët thonë se kanë arritur deri tani të ruajnë pritshmëritë për rritjen ekonomike gjatë këtij viti me 3.2%, por e ardhmja në kushtet e një krize globale mbetet sipas ekspertëve një sfidë për autoritetet. Vendet me ekonomi të brishtë si Shqipëria, sipas tyre, janë gjithnjë e më të ekspozuara përballë krizave ndaj dhe masat për minimizimin e tyre, në mjaft raste, kanë ndikim të ulët në popullatë./ VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here