Covid-19/Basha thirrje sërish qeverisë: Të mbyllen fasoneritë dhe call center-at!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje që për të parandaluar në mënyrë sa më të efektshme përhapjen e koronavirusit në Shqipëri, të mbyllen menjëherë fasoneritë dhe “call center”-at.
“Janë 70 000 punëtorë në fasoneri, që paguhen me pagën minimale dhe punojnë në ambiente të mbyllura. Kjo nuk zgjidhet duke dalë të bëjë pazar vetëm një anëtar i familjes. Nuk duhet lejuar asnjë ditë vonesë, prandaj të merren masa me efekt të menjëhershëm. Të gjenden rrugët për qeverinë dhe sipërmarrjen për të çaktivizuar këto bomba me sahat për 4 javët në vazhdim”, deklaroi Basha.
“Për të gjitha bizneset që janë të detyruar t’i lënë punonjësit në shtëpi dhe që janë në pamundësi pagese, Qeveria duhet të përballojë pagën minimale.
Për të gjitha ato biznese që i lënë punonjësit në shtëpi dhe u paguajnë pagën, kjo kosto të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200% .
Kosto maksimale e kësaj mase është 15 milion euro në muaj. Por kostoja e mosveprimit, është e pallogaritshme në jetë dhe shëndet njerëzish. Kostoja financiare e mosveprimit është dhjetëra herë më e lartë për përballimin e pasojave shëndetësore të mosmbylljes së fasonerive, si dhe në efektin zinxhir që kjo do të ketë edhe për ekonominë edhe buxhetin.
Qeveria mund të eksplorojë edhe mënyra alternative mbështetje si: Shtyrje te pagesave të detyrimeve; Rishikimi i qerave shtetërore, i çmimit të energjisë, të karburanteve etj.; Rimbursimi i menjëhershëm i TVSH”, shtoi Basha.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment