Covid/ Shqiperia hapa pas, mbyllen baret e diskot

0
143

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi në një deklaratë për media vendimin e ri të qeverisë për mbylljen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, si pasojë e situatës Covid.
Nga ky vendim janë përjashtuar vetëm restorantet.
Akti Normativ ndalon gjithashtu muzikën në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji pas orës 20:00.
“Ndërsa vihet re në javën e fundit, një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto. Kemi konstatuar që në këtë periudhë, ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë dhe personat që frekuentojnë këto mjedise, në kushte të papranueshme për një kohë Pandemie, bëhen kështu në bartës të virusit, në dëm të të afërmve dhe më të moshuarve. Qeveria Shqiptare ka vendosur që nga sot, t’i thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh.
Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:
– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.
– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.
Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se e gjithë bota është në një moment pandemie. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se për të mbrojtur shëndetin, duhet që gjithësecili të bëjë pjesën e vet, dhe gjithësecili të marrë përgjegjësi për veten dhe tjetrin. Nuk duhet të harrojmë për asnjë moment, se Normalja e Re kërkon edhe sakrifica, me qëllim që nesër, askush të mos pendohet për pasoja, që mund t’i kishte parandaluar thjesht përmes një sjellje më të përgjegjshme.” tha Manastirliu. /

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here