Ç’po ndodh me arkivat shqiptare? / Nga Kastriot Dervishi

0
212

Shqipëria është larg së qeni shtet normal në drejtim të arkivave. Rrjeti arkivor e Republikës së Shqipërisë, nëse do ketë vullnet të mirë në zbatimin e ligjit, nga ky moment do së paku 10 vjet të vijë në parametra të përgjithshëm në terezi. Shkak për këtë gjendje është mosekzistenca e godinave për AQSH-në, 12 arkivat vendorë, arkivat e sistemit, si dhe personeli i pakët, i cili në gjykimin tim është 10-20% e atij që duhet të jetë. Sikur të mos dilnin këto mangësi, janë vërejtur dhe po vërehen shkelje të rënda të ligjit të arkivave të vitit 2003. U miratua ligji i “hapjes së dosjes” në shkelje të rëndë me ligjin e arkivave, në vijim të të cilit presim vetëm pasoja të rënda mbi dokumentacionin (nxjerrje dosjesh nga vendruajtja, humbje dosjesh, shkatërrim të fondeve, çorganizim, etj), për të cilin Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, e papërfillur fare nga një ish ministri, heshti, sikundër heshti e po hesht për shkatërrimin e Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Brendshme.
Tani në fundmi po ndërmerren eksperimente të futjes së privatit (që do shndërrohet në “arkivist” me magji) në arkivat shtetërore dhe prishjes së arkivave vendorë, të cilat nga 12 do bëhen 4, plus një. Dokumentet që do përpunohen, duhet të udhëtojnë patjetër dhjetëra e qindra kilometra, sikur të ishte qamet i madh të përpunoheshin në vend. Për të realizuar këtë nismë shumë të gabuar është miratuar VKM-ja nr.35, datë 24.1.2018 “Për miratimin e rregullores “Për licencimin e arkivave privatë”, në nenin 2 të së cilës, janë shtuar fjalët se arkivat private “mund të administrojnë, ruajnë e përpunojnë “dhe dokumentacion të institucioneve shtetërore”. Po ashtu ka dalë urdhri kryeministrit për strukturën e re të arkivave vendorë.
Më qesharak është fakti se vetë shteti nuk i ka kushtet që ia kërkon privatit me VKM, e për këtë nuk duhen shumë argumente, sepse kusitë e ujit e plastmasi në depot e shkatërruara të shtetit, flasin vetë. Armiqtë më të mëdhenj të arkivave në Shqipëri mbeten Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave. Po ashtu edhe DAP-i që nuk kupton as në kornizë se çfarë janë arkivat (dhe as ka për ta kuptuar ndonjëherë).
12 arkivat vendorë, janë formuar në vitin 1985 në çdo qendër rrethi. Në vitin 2000 u kaluan në qendër qarku. Ende sot, nuk janë shuar plagët e rrjedhura nga bashkimi artificial i arkivave të rretheve në arkivat e qarqeve. Për faj të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave (sabotatorë është pak t’u thuash), atyre u ka munguar çdo investim.
Ligji i arkivave nuk ka asnjë dispozitë që lejon privatin të përpunojë apo administrojë dokumentacionin e shtetit, si dhe që të lejojë shpikjen e një njësie territoriale rajonale në vend të njësisë bazë që është qarku.
Shteti u ka njohur të drejtën p.sh. ndërmarrjeve tregtare, prodhuese, picerive, restoranteve, dyqaneve të bulmetit, sallamerive, kafeneve, rarinerive të naftës, ndërmarrjeve të kromit, etj, etj, që në rast se duan, mund të krijojnë arkiva privatë me dokumentet e tyre. Në asnjë rast, këta nuk përligjen e as të jenë pararoja e të merren me dokumentet e shtetit. Që privati nuk ka pasur deri tani asnjë interes të hapë arkiva, e dëshmon fakti se nga viti 2003 kur u miratua ligji i arkivave, ka pasur zero interes. Tani papritmas, pas “ngacmimit letonez”, si me magji, na u zgjua interesi për arkiva privatë. Çfarë ndodhi? Siç e kam lajmëruar më parë, arkivat privatë po shihen jo thjesht si administratorë të letrave apo etiketave të tyre të sallamit, djathit, etj, por si biznes. Prej disa muajsh, më kanë pyetur dhjetëra vetë të sferave të prodhimit, pa lidhje me arkivat, se çfarë kushtesh duhet të plotësojnë që të bëjnë një arkiv privat. Nga edhi ky model? Sigurisht nuk ka lidhje me shtetet ku ne aspirojmë të shkojmë, është model neosovjetik, i marrë nga një shtet si Letonia. Kaq i vështirë qenka një model perëndimor për Shqipërinë? Kaq vështirë qenka për këtë qeveri sportelesh e propagande, të investojë për arkivat e veta? Kaq vështirë qenka të ndjekim Europën, Italinë, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, etj. Nuk do bëjmë ne shpikje për arkivat, por kërkohen fare pak: zbatim i ligjit, ndërtimi i infrastrukturës dhe shtimi i personelit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here