Çupi: 30% e prokurimeve publike jepen pa garë nga qeveria Rama

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi deklaroi sot në një dalje publike se, “pas shfaqjes tallëse të ditës së djeshme me policinë, sot Rama dhuroi shfaqjen e radhës me drejtuesit e komanduar të pushtetit vendor.

“Bëni si them unë por mos bëni si bëj unë” u tha Rama të emëruarve të tij në bashkitë e vendit, tha Çupi.

Çupi shprehet se të dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit.

Më tej Çupi akuzon kryeministrin Rama se ka miratuar 9 ligje posaçërisht për klientët e tij duke e kthyer kështu korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, sikurse vërtetohet nga raportet e “Transparency International”.

“Natyrisht qytetarët shqiptarë e dinë se njerëzit e ndershëm të mbledhur në atë sallë numërohen në gishtat e një dore, megjithatë të dëgjosh Ramën që bën moral për tenderat dhe korrupsionin, nuk është gjë tjetër veçse një nivel i ri i teatrit të absurdit. Sepse shkelësi i ligjit nuk mund të vendosë drejtësi aq më pak kritere ndershmërie në zbatimin e ligjeve mbi prokurimet publike. Qeveria Rama, në kundërshti me çdo normë kushtetuese dhe ligjore, ka miratuar 9 ligje të bëra apostafat për klientët pranë kryeministrit. Duke e kthyer kështu korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit, sikurse vërtetohet nga raportet e “Transparency International”.

Qeveria Rama është kampione e Prokurimeve Publike të dhëna pa garë; 30% e prokurimeve publike në vend jepen pa garë që nga viti 2014. Fakt i provuar nga Komiteti Auditues i BE-së që 1 ne 3 jepet pa gare dhe kjo nuk ka lidhje me pushtetin vendor por me te gjithë qeverisjen Rama.

Çdo tender sot jepet pa garë, me 99% të vlerës limit dhe me një dëm ekonomik të vërtetuar nga KLSH në nivelin e 7 miliard euro”, u shpreh ajo.

“Ai që bëri një ligj antikushtetues për shembjen e teatrit, me emër dhe mbiemër të ortakut me të cili do rrëmbente pronë publike, ai që falsifikoi firmën e Sekretariatit të Shtetit të Delaware për të vjedhur 20 milionë euro për një kilometër rrugë, ai që i kontraktoi miliona euro me kontrata sekrete, ai që praktikat korruptive nuk i ndali as në kohë pandemie dhe as gjatë fatkeqësisë së tërmetit, ai që e renditi Shqipërinë të dytën në botë për nivelin e ryshfetit, sot po përpiqet të lajë duart me korrupsionin, duke bërë koka turku ushtarët e tij nëpër bashki”, tha Çupi.

“Fatkeqësia e Ramës është se nuk i gënjen dot më qytetarët. Shqiptarët e ndjejnë në xhepat e tyre, në tryezat e tyre peshën e korrupsionit që ka varfëruar çdo familje dhe e ka bërë edhe më të zymtë perspektivën europiane të Shqipërisë”, u shpreh Çupi.

“Shqiptarët e dinë që peshku qelbet nga koka  dhe se një regjim që vjedh zgjedhjet nuk mund të ofrojë gjë tjetër veçse një qeverisjes të korruptuar”, tha Çupi.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment