Dëgjesa te kthesa !!!

0
151

Nga Roland Bejko

Gjyqi popullor ndaj drejtorëve dhe institucioneve, ose ndryshe, “dëgjesa”.

Spektakli sot është në Shkodër !

Skenari ishtë i tillë:

  1. Kryeministri nervoz para njerëzve.

-A ka mundësi të ulesh aty? Ça mi tund ato letra ashtu. Bjeri shkurt…. Ça thu moj ça thu.. Ulu aty mi ulu aty… si të dush, dash ri, dash ik.. E qartë, e qartë, jepja pak mikrofonin zotrisë aty. E kam unë rradhën tashi, do flas unë, ulu tashi ti… pusho ti aty…

  1. Drejtorët flasin me zërin që ju dridhet. Fjalët ju ngesen në fyt, ujë në djersë nga sikleti. Nuk kanë faj, janë në siklet. Nga njëra anë populli i egzaltuar se i erdhi rasti t’ju bëjnë gjyqin nën hijen e rrapit gju më gju me “udhëheqësin” dhe nga ana tjetër vështrimi i egër dhe zëri arrogant i “udhëheqësit” të plotfuqishëm.

Drejtori 1-Që të zgjidhet kjo çështje, duhet që qytetari t’i drejtohet gjykatës.

Kryeministri: Ça gjykate mo? Nesër lidhu dhe me drejtorin e hipotekës dhe t’i zgjidhet çështja..besoj u kuptuam. Ulu aty tani.

  1. Qytetarët të eksituar para arrogancës dhe prepotencës së Atij po shfryjnë hallet e tyre.

Kryeministri tallet me qytetarët dhe të gjithë ne. Ai e di shumë mirë se qeverisja e mirë nuk garantohet me gjyqe popullore kundër funksionarëve dhe nëpunësve. Abuzimet dhe korrupsioni nuk frenohen kështu, por me reforma institucionale, strukturore, të thella.

Ai duhet të kthehet urgjent në zyrën e tij dhe të heqë dorë nga ky spektakël i neveritshëm. Nuk po mëson asgjë të re nga ato që shfryjnë njerëzit. Të gjitha i ka ditur më parë dhe i di edhe sot, çfarë funksionon dhe çfarë jo.

Por Ai vet është abuzuesi më i madh i pushtetit. Me megakorrupsionin e tenderave publikë, konçensionet miliona dollarshe të dhëna klanit të tij, me kriminalizimin e ekonomisë duke lejuar e menaxhuar me instrumentat e policisë gjithë trafikun e drogës nga jugu në veri.

Dhe pikërisht, për të hequr vëmendjen nga mega abuzimet e tij, faturën e mosqeverisjes po jua kalon drejtorëve dhe nëpunësve lokalë, atyre që ndoshta edhe abuzojnë me detyrën, por që korrupsioni i tyre i vogël nuk është asgjë para korrupsionit të madh të Kryemiistrit dhe oligarkëve të oborrit të tij.

Nëse do kish një arsye pse sot Kryeministri i këtij vendi do të duhej të ishte jashtë zyrave të tij, duhet të ishte në zonat turistike, aty ku qytetarët shqiptarë e të huaj, po humbasin përditë jetën, jo sikur të ishin me pushime e për qejf, por në luftë.
Ndërsa fermerët në Lushnjë prishin parcelat e bostanit se nuk kanë ku ta shesin, nuk ka treg.

A zhvillohen dëgjesa me qytetarët në shoqëritë demokratike?
Po, zhvillohen. Por ato nuk kanë për qëllim diskreditimin e askujt. Nuk kanë për qëllim të ndëshkojnë publikisht asnjë funksionar a nëpunës. Nuk kanë për synim ndjelljen e frikës tek të tjerët funksionarë që e ndjekin “gjyqin” nga ekranet. Nuk kanë për mision populizmin si leverdi elektorale. JO, KJO METODË ËSHTË KOMUNISTE.NUK ËSHTË DEMOKRATIKE.

“Dëgjesat” në perëndim bëhen për të mbledhur ide, për të përcaktuar prioritet në investimet publike, për të shpërndarë me transparencë fondet, për të menaxhuar sa më mirë territorin etj. Atje dëgjesat nuk janë gjyqe. Mbi të gjitha kanë dhe etikë në komunikim veçanërisht nga përfaqësuesi i shtetit a pushtetit, kushdo qoftë.

Çfarë po bën sot ky? Pasi ju mori votën qyterarëve me batuta e gallatë, tani ke dalë hijeve të rrepeve dhe e po i pyet çfarë të bëjë e si ta bëjë!

Pra, leri fjalët dhe spektaklet z.Kryeministër. Kthehu në zyrë dhe puno. Dhe mos haro: “E para është ekonomia, or budalla” !

Pra, çfarë ti bësh, çfarë ti thuash? Kjo është Shqipëria jonë për fat të keq.
Derexhe!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here