Nga Panajot Cakalli
Të nderuar Qytetarë !
Quhem Panajot Çakalli, 24 vjeç dhe vij nga Gjirokastra. Natyrisht, në kushtet e zgjerimit të vazhdueshëm dhe të pandalshëm të kësaj Lëvizjeje të Madhe Kombëtare, e si mund të ndodhë që kryeqëndra e jugut të mos jetë pjesë e kësaj Çadre të Lirisë dhe të Demokracisë. Aktualisht jam student i vitit të dytë në Master Shkencor Histori pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Përfitoj nga rasti për t’ju treguar një episod nga jeta ime studentore këtu në Tiranë. Para pak javësh, miqtë e mi, shkova krejt rastësisht në Departamentin e Historisë për të dorëzuar një detyrë kursi. Aty takova një profesoreshë të historisë e cila më ofroi një mundësi shkëlqyer, për shumë vetë ndoshta fantastike: një bursë PhD në Universitetin e Torinos me vlerën modeste mujore 1300 euro, për histori dhe në gjuhën angleze.
Prindërit, të afërmit, shokët, profesorati, çdo person që takoja dhe që e ndieja njeriun tim, me habi më drejtoheshin duke më thënë: “Akoma këtu je? S’i ke bërë dokumentet? Po valixhet, akoma s’ i ke përgatitur? Akoma je këtu, në këtë vend të qelbur nga qelbësirat, të kriminalizuar nga kriminelët, në këtë vend të vdekur dhe të pashpresë të zhytur në llumin e mjerimit dhe të poshtërimit ?! Ik dhe shpëtoje veten!“.
Këto janë fjalët e tyre, fjalë që ende gjëmojnë në veshët e mi. Por në mendjen dhe shpirtin tim nuk ka kurrfarë dileme. Kam një mesazh për ta dhe gjej rastin ta them këtu në këtë Agorë të diskutimit politik: “Nëse ka një person që duhet të largohet, ky nuk jam unë, as qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Ai është Edi Rama dhe zuzarët, skllevër të pushtetit të tij që janë sjellë në këtë vend më keq se çdo pushtues që ka parë kjo tokë nga Antikiteti e deri sot. Prandaj Edi Rama, po të drejtohem ty personalisht, largohu, nga karrigia çohu, bëji ti gati valixhet, jo unë. Rama ik, Rama go !
Por largimi i tij nuk është i mjaftueshëm. Ky nuk është fundi miqtë e mi, është vetëm fillimi. E reja duhet të zëvendësojë të vjetrën. Shteti i shpartalluar i Ramës ka marrë fund… Në mes të këtyre rënojave duhet të ngrihet Republika e Re, Republika e Qytetarëve dhe jo e zuzarëve, Republika e Vlerave dhe Meritave, dhe jo ajo e kultit të krimit, kanabisit dhe korrupsionit.
Në këtë kuadër kam përgatitur një Dekalog të Republikës së Re, një projekt me dhjetë pika të cilat do t’i shërbejnë rivendosjes së Demokracisë në Shqipëri. Qëllimi është pikërisht ky, rivendosja e Demokracisë në Shqipëri. Sot vendi ynë përballet me dhjetë rreziqe shumë të mëdha. Cilat janë ato do pyesni?
Së pari është injoranca, injoranca është krimi më i madh në këtë vend. Shkollat shqiptare nuk prodhojnë më qytetarë, por vetëm budallenj.
Së dyti, është pushteti absolut i kryeministrit, kriminalizimi i shtetit dhe kanabizimi i vendit. Mesa duket ky i fundit ka realizuar çuditshëm edhe “hashashizimin” e medias, një rrezik tashmë evident në sytë e çdo shqiptari. I keni parë apo jo, se si shprehen mediat sot ? Si fabrikojnë lajmet, fake-news-et e tyre. Me shumë gjasë konsumi i tepërt i kanabisit i ka shndërruar ato në fabrika plehrash dhe jo në informues korrekt të publikut.
Një rrezik tjetër është kriza social-ekonomike. Nuk ka pasur katastrofë më të madhe në këtë vend se sa në këto katër vjet qeverisje. Dhe pikërisht kjo krizë ka sjellë shpopullimin, emigracionin, damkosjen ndërkombëtare të shqiptarëve dhe fundin e Republikës. E vetmja gjë që nuk është kryer ende është shfarrosja e këtij vendi, zhdukja e tij nga harta e botës. Vetëm kjo nuk është bërë akoma. Të gjitha të tjerat qytetarët i vuajnë sot më shumë se kurrë në jetën e tyre të përditshme.
Prandaj synimi i këtij diskutimi për Republikën e Re është shpartallimi i rreziqeve që i kanosen vendit përmes krijimit të Republikës së Re. Janë dhjetë objektiva që duhen realizuar.
- Për të zhdukur injorancën duhet një shkollë e re shqipe, një Universitet i Ri, rithemelim i Institucioneve të Kërkimit Shkencor dhe të Kulturës. Nuk luftohet injoranca me dhunë, injoranca luftohet me dije, me kulturë, me shkencë, me institucione akademike.
- Për të kufizuar pushtetin absolut ka vetëm një mënyrë, jo thjeshtë ndryshime kushtetuese, por një Kushtetutë të Re, të ndryshuar nen për nen. Nënobjektiva primare të saj janë kufizim të pushtetit të kryeministrit, ndarje dhe balancë të pushteteve dhe demokratizim të partive politike
- Dekriminalizim dhe dekomunistizim të Institucioneve Publike. Ky proces nuk duhet të mjaftohet me thjesht akte ligjvënëse, pasi dekriminalizimi i shtetit ka bërë de facto edhe kriminalizimin e shqiptarëve. Për këtë është e domosdoshme që të nisë procesi edhe i dekriminalizimit të shoqërisë në mënyrë që ata rifitojnë të drejtën e të qënit qytetar. Kusht i nevojshëm i demokracisë.është pikërisht ky purgator i domosdoshëm i shoqërisë.
- Shkatërrimi i mafies që cënon rendin publik dhe që udhëheq narko-trafikun. Nuk mundet dhe nuk duhet të ketë tolerancë me krimin. Shtëpia e qytetarisë e ka vendin në shtigjet e lirisë; strofkulla e krimit në terrin e qelisë.
- Shembja e oligopolit mediatik është i domosdoshëm. Reformim i televizionit publik i cili paguhet me taksat tona nuk duhet të jetë servil ndaj pushtetit, por shërbëtor i qytetarit, i problemeve dhe shqetësimeve të tij madhore.
- Milton Friedman thotë një shprehje: “ Nuk mund të ketë liri në një vend nëse nuk ka liri ekonomike dhe treg të lirë”. Atëherë sfidë për ne është rikrijimi i ekonomisë së tregut të lirë. Vetëm kështu njerëzit do të kenë mundësi të punojnë dhe të shfrytëzojnë falë konkurencës së ndershme mundësitë e barabarta për të shfrytëzuar në mënyrë eficiente burimet e jashtëzakonshme të vendit tonë të vogël në sipërfaqe, por të madh në asete.
- Forcimi i lidhjeve të Atdheut me Diasporën Shqiptare kudo në botë. Pikërisht në këtë mënyrë mund të përdoren në të mirë vendit tonë shndërrimi i organizatave të saj në “ambasada jo-zyrtare” të Shqipërisë, në instrumente lobingu.
- Restaurim i imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë, Rithemelimi i Republikës, Prosperitet permanent i Shqipërisë.
Le të jetë shpresa ime më e lartë, realiteti ynë më sublim në të ardhmen e afërt. Përsosmëria na mëson përherë të shpresojmë. Ajo është burimi, ku gufon Republika e Re. Qoftë i përjetësuar në histori Lideri që do ta bëjë këtë projekt pjesë të realitetit. Kush është lideri ? Lider jeni Ju, lider jemi Ne , lider është Qytetari, që sot ftohet të prodhojë histori…