Deklarata e PPE dhe një përpjekje për te fshehur mesazhin e palëkundur perëndimor

0
182

Nga Red Varaku/

Ka pasur një konfuzion në leximin e mesazhit perëndimor në lidhje me krizën shqiptare kryesisht si pasojë e dy ngjarjeve të rëndësishme jashtëpolitike, tërmetit dhe pandemisë, të cilat kjo qeveri i ka shfrytëzuar maksimalisht për të harruar të vërtetat e përgjimeve dhe votimet moniste. Gjithashtu, këto dy ngjarje kanë ndikuar që nëpërmjet propagandës, qeveria të ndërtojë në mëndjen e shqiptarëve një qasje dhe narrativë tjetër të perëndimit ndaj krizës shqiptare, sidomos në interpretimin e ndihmës financiare të perëndimit ndaj popullit shqiptar, si mbështetje për të dhe në prezantimin e kredisë 885 milion euro si përkrahje për të personalisht. I njëjti konfuzion u tentua edhe këto ditë në dakortësimin e Reformës Zgjedhore, ku sërish ai tentoi ta shiste veten si i përkëdheluri i perëndimit kur në fakt në fund rezultoi e kundërta. Por, e vërteta është që përkundër kësaj përpjekjeje për të shfokusuar opinionin publik , ka pasur gjithmonë një qëndrim të qartë të faktorit ndërkombëtar. Më i ashpri dhe më i qarti ka qenë bllokimi i integrimit. Një rast unik, në historinë e integrimit, sepse nuk ishte thjesht një moshapje negociatash për shkak të mosplotësimit të kushteve, por ishte bllokim i integrimit me nëntë kushte, të cilat pasqyronin qartazi vetëm kërkesat e opozitës. Pas bllokimit të integrimit, një mesazh tjetër i qartë, që i shkonte mu në zemër propagandës së qeverisë, fiks një muaj pas bllokimit të integrimit, në Zagreb Partitë Popullore Europiane dolën me një rezolutë të qartë në mbështetje të betejës politike të opozitës. Një rezolutë që pranonte krizën që vinte si pasojë e përpjekjes së Ramës për të asgjësuar demokracinë dhe shikonte si zgjidhje të saj propozimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme politike në të njëjtën ditë me ato lokale me një kod të dakortësuar zgjedhor. Në këtë mënyrë ajo vinte si mbështetja e parë e hapur për betejën politike të Lulzim Bashës pasi njihte, pranonte dhe vlerësonte edhe vendimet politike të z. Basha si lider i Opozitës, përfshi këtu djegjen e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve. Më pas kemi presionin që e detyroi kryeministrin të pranonte si zgjidhje zbatimin e kushteve të Bundestagut. Provë për këtë ishte pranimi i Këshillit Politik, si mjet për shtrimin e rrugës për zgjidhjen e krizës dhe për dakortësimin e reformës zgjedhore si një mënyrë për dorëzimin e pushtetit me procedurë. Po në vazhdën e këtij qëndrimi të palëkundur ishte dhe sot deklarata e grupit parlamentar të PPE , grupit që qeveris BE-në, e cila nuk është tjetër vetëm se një përkthim në terma ligjorë dhe institucionalë i rezolutës së Zagrebit. Pra, deklarata sot e z. Michael Gahler, koordinatorit të grupit të PPE në Parlamentin Europian për çështjet e zgjerimit (CDU), i cili kërkoi sot në emër të grupit të Partive Popullore Europiane, vazhdimin me plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave, me vendimin si hapin tjetër të rëndësishëm pas reformës zgjedhore, aplikimin e saj, jo vetëm që nuk është një devijim nga strategjia për tranzicionin politik të pushtetit në Shqipëri, por është një deklaratë që përforcon qëndrimin perëndimor dhe paralajmëron akte me fuqi ligjore në rast devijimi nga ky kurs. Në thelb kjo deklaratë është një ‘urdhër’ për qeverinë shqiptare, që nuk ka asnjë shans të mos zbatohet sepse moszbatimi i tij jo vetëm e ngarkon këtë qeveri me përgjegjësi, por sjell edhe pasoja të tjera për të ardhmen e integrimit të vendit. Ndaj, përtej spekulimeve të vogla propagandistike, që tentojnë të injorojnë ose të zvogëlojnë betejën politike të opozitës, e vërteta është që Këshilli Politik dhe Reforma Zgjedhore janë pasojë e presionit ndëkombëtar për të plotësuar kushtet e Bundestagut. Pas deklaratës së sotshme të grupit të PPE, nuk besoj se ka më njeri që të mos e ketë të qartë, që faktori ndërkombëtar është angazhuar për një tranzicion politik të pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme politike në të njëjtën ditë me ato lokale me kodin e ri të dakortësuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here