Del raporti i DASH për Shqipërinë: Korrupsioni dhe pengesat burokratike pengojnë luftën ndaj terrorizmit

0
139

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi të mërkurën raportin vjetor për terrorizmin në botë për vitin 2017. Për Shqipërinë thuhet ndër të tjera se korrupsioni dhe pengesat burokratike pengojnë luftën ndaj terrorizmit.

Në raport thuhet se gjatë vitit 2017 Shqipëria ishte një mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe vazhdoi pjesëmarrjen e saj në Aleancën Globale për të Mposhtur ISIS-in.

Shqipëria, thuhet në raport, penalizon veprimet terroriste, financimin e terrorizmit, kryerjen e transaksioneve me persona që janë në listat e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, rekrutimin dhe trajnimin e njerëzve për kryerjen e veprave terroriste, nxitjen e akteve terroriste dhe krijimin apo pjesëmarrjen në organizata terroriste.

Gjatë vitit 2017, thuhet në raport, Forcat e rendit në Shqipëri i shtuan përpjekjet për të luftuar kërcënimet e mundshme terroriste.

Korrupsioni dhe pengesat ndaj shkëmbimit të informacionit midis agjensive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem gjyqësor që funksionon dobët, thotë raporti, vazhdoi të pengonte përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet.

Në raport thuhet gjithashtu se në vend po bëhen reforma kushtetuese dhe ligjore për gjyqësorin, duke filluar me verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion apo lidhje me krimin e organizuar si dhe për aftësitë e tyre profesionale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here