DELVINA E KONISPOLI SI RASTE UNIKE / ZONAT KU PS E VETME MORI 22% TË VOTAVE

0
45

Nga Afrim Krasniqi – Pushtet vendor “pluralist”? “Vullnet politik ndaj alternativave” dhe votbesim për një parti kur ajo është e vetme në zgjedhje? Përfaqësim lokal apo shkëmbime votash në proporcional në këmbim të favoreve elektorale?

Në zgjedhjet lokale 2019 ka edhe një dukuri interesante: për herë të parë në historinë e një vendi demokratik ka bashki ku 100% e votave kanë kaluar për kryetarin (pa rivalë) dhe për partinë e kryetarit në këshill (me disa parti të tjera rivale). Kështu, Delvina dhe Konispoli do të mbeten në histori si bashkitë e para në Shqipëri dhe në praktikat e vendeve demokratike, ku një parti e vetme ka zgjedhur kryetarin me 100% të votave dhe këshillin bashkiak me 100% përbërje nga partia e kryetarit. Në 29 bashki të tjera ku kryetarët janë zgjedhur me 100% të votave (pa kandidatë formalë përballë), nuk ka ndodhur që edhe këshilli të ketë 100% përbërje të partisë së tij. Përkundrazi, në bashki si Hasi, PS ka 100% të votave për kryetarin dhe vetëm 22.41% vota në sistemin proporcional, pra për listën e saj shumë-emërore për këshill. Diferenca midis votave për kryetarin (pa kandidatë rivalë) dhe këshillin (me parti rivale) është -77,59%, një rekord gjithashtu tjetër i zgjedhjeve lokale 2019.

Tabela tregon diferencat më të vogla dhe diferencat më të mëdha në shkallë vendi midis votave për kryetarin (me ose pa rivalë formalë) dhe votave në proporcional për partinë e kryetarit (me parti të tjera rivale, në koalicion ose luajale me PS).  Sic shihet në vendin e tretë me diferencë më minimale është Kavaja, ku praktikisht kryetari i zgjedhur me 98% të votave nuk kishte rivalë, pasi kandidati tjetër në fletën e votimit kishte dhënë dorëheqje më parë, ndërsa në këshill partia e kryetarit ka 94% vota, shifra e tretë më e lartë në vend. Kavaja është një prej bashkive që drejtohej nga opozita, ndaj edhe dominimi me 98-94% nga socialistët shpreh një prej paradokseve të tjera të mëdha të mënyrës sesi u organizuan dhe zhvilluan këto zgjedhje. Interesant është gjithashtu fakti se në një 12 bashki, PS, e cila është fituese 100% e pozitës së kryetarit, si parti ka më pak se 35% të votave në proporcional, me një hendek të madh që varion nga me 56% në 77% midis përqindjes së votave për kryetarin dhe atyre për këshillin bashkiak.

Në shumicën e këtyre zonave zgjedhore pazaret e vogla lokale ose marrëveshjet për shkëmbim postesh midis kryetarit e këshillit, kanë pasur ndikim të madh në parcelizimin e votave në këshill. Fitues të tjerë në këshill janë kryesisht parti të panjohura, në disa raste krejtësisht të panjohura, por në një proces pa praninë e opozitës dhe me kontroll të plotë nga një parti e vetme ishte e pritshme të kishte përllogaritje të votave në favor të detyrimeve personale ndaj partizave të vogla apo grupeve lokale mbështetëse në zgjedhjet lokale e parlamentare. Megjithatë ka disa zona specifike ku PS nuk ka pasur rezultat të lartë as në 3-4 zgjedhjet e fundit lokale.

Shkruaj nje koment