Deputeti në ditën e fundit të fushatës

Nga Lea Garo

Një deputet dhe që në fillim po e theksoj që ky nuk e ka emrin Vangjel, doli ditën e fundit të fushatës për të bërë një rezume të punës së lodhshme agjitative e propagandistike.

Eshtë pra ditë e shtunë, të dielen janë zgjedhjet.

Deputeti ynë, që nuk quhet Vangjel për të shmangur çdo lloj keqkuptimi, finok e i rrahur me vaj e me uthull, sidomos me uthull që në fshatin e tij e kanë për gjë të madhe, përdori kësaj rradhe një taktikë të re.

Nuk bëri mbledhje apo miting, por vuri në zbatim metoden “door to door” ose derë më derë siç e themi në shqip. “Ai qerata Vangjel me këtë metodë korr goxha sukses”, mendoi dhe iu vu punës.

Trokiti në shtëpinë e parë.

– Si i keni hallët?
– Po ja more zoti deputet djali…
– Si është puna e djalit?
– Duam ta çojmë në shkollë se mëson shejtani, po nuk na del.
– Të hënën hajt të març bursën!-dhe i kthehet sekretarit-e shënove?
– Si urdhëron!

Shkon më tutje. I njëjti avaz.

– Lopa zoti deputet…
– Ç’ pati?
– Ngordhi.
– Mba shënim! Të hënën hajt të març lopë të re!

Më tej.

– Vajza, zoti deputet…
– Hë!…
– Po ja i vajti koha për martesë po djemtë e fshatit kanë marrë kurbetin.
– Shënoje! Të hënën ec të març një dhëndërr fringo.

E kështu me rradhë derisa mbërriti te xha Nasja.

– Hë xha Nase si të venë punët?
– Mirë more ti deputet po një hall të vogël e kam dhe unë.
– Fol pa droje. Ti të kemi dhe të partisë.
– Po ja si ta them. Kam oreks për atë punë dhe plakën të re e kam e më ankohet, por nuk kam fuqi takat që i thonë. Më lanë hallatët.
– Do ta zgjidhim këtë punë. Shkenca ka bërë çudira. Shënoje! Xha Nase, të hënën ec të marrësh topet e ra.

Rrugës kur po ktheheshin, vonë natën, i kthehet sekretari që është njëkohësisht edhe shoferi.

– O shefi, nuk të duket se e kalove pakëz kufirin?
– Ku ore?
– Po ja me topet e xha Nases.

– Ec, ec, shih rrugën ti pa të hënën, në qënça unë deputet, topet e xha Nases kanë për të marrë të tërë ata!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment