Pasi e ka dhunuar sistematikisht të ëmën e vet, shkel urdhërin e mbrojtjes nga gjyqësori. Alfred Mecani 50 vjecar nga Libohova, është arrestuar një ditë më parë pasi ka shkelur urdhërin e mbrojtjes së dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër, ku ndalonte vizitat në banesën e të ëmës së tij 68 vjecare. Informacionet policore, bëjnë të ditur se një ditë më parë shërbimet e Stacionit të Policisë Libohovë, kanë prangosur 50 vjecarin teksa u gjet në banesën e të ëmës së tij. Disa ditë më parë, Gjykata e Faktit në Gjirokastër, pati lëshuar urdhërin e mbrojtjes së kërkuar nga e ëma e Mecanit, pasi ky i fundit prej kohësh e keqtrajtonte duke i kërkuar lekët e pensionit të saj për t’i luajtur në bast-lojërat sportive. Prezenca e Alfred Mecanit në banesën e të ëmës, është lajmëruar nga komshinj të saj ku të alarmuar kanë dhënë sinjalin për të mbërritur policia, me qëllim, mos përsëritjen e episodeve të dhunshme që kanë ndodhur në të kaluarën.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.