Divorcet në nivel rekord në Shqipëri: Një e katërta e çifteve ndahen

0
264

Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Teksa shifrat e 2019-s tregojnë nivelin më të lartë të tyre, 26.1 divorce për 100 martesa, ekspertët e fushës ligjore dhe psikologjike japin kambanat e alarmit…

Kur rregullat e reja të karantinës morën pushtetin në 2020, shumë njerëz menduan se si do të ndikonte kjo për çiftet që përpiqeshin të ruanin marrëdhënien e tyre së bashku. A do ta forconte më tepër raportin e tyre, kjo jetesë kaq shumë bashkë, me vetëm një orë leje për të dalë, apo do t’i shtynte çiftet drejt konfliktit? Derisa këto përgjigje i presim ende, duke qenë se statistikat në Shqipëri për divorcet e 2020-s nuk kanë dalë, shifrat e 2019-s e përkeqësojnë më tepër situatën.

Për herë të parë, që nga publikimi i statistikave të divorceve tri dekada më parë, në 2019 është shënuar niveli më i lartë të tyre, me 26.1 divorce për 100 martesa. Më shumë se një e katërta e martesave po përfundojnë në divorc. Kambana alarmi bien nga ekspertët e fushës psikologjike dhe sociale, kurse ekspertët ligjorë theksojnë problematika të shumta në zgjidhjen kaq të lartë të martesave.

Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2009 në vitin 2019, përkatësisht nga 13.8 në 26.1 divorce për 100 martesa. Viti 2019 shënon numrin më të lartë të divorceve ndër vite, 5.860 divorce. E parë në këndvështrimin e krahasimit të një dekade, ndryshimi është i konsiderueshëm. Në 10 vitet e fundit kemi një rritje 62.5% të numrit të divorceve, ndërsa numri i martesave ka pasur luhatje dhe rënie. Për të njëjtën periudhë, pra 2009-2019, numri i martesave ka pasur një rënie prej 14.3%.

Image

Të dhënat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë tregojnë se nga janari i këtij viti deri më 19 prill, ka pasur në total 1650 padi për zgjidhje martese, ku jo të gjitha rastet janë përfunduar dhe 10 prej tyre janë ankimuar.

Nga ana tjetër, edhe rastet për caktimin e kujdestarisë janë të shumta. Në të njëjtën periudhë janë bërë 51 padi, 3 prej të cilave ankimuara. Një tjetër çështje civile që u shtohet rasteve të natyrës familjare, është pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Janë gjithsej 101 raste në më pak se 4 muaj të këtij viti, 5 prej të cilave të ankimuara. Ndërkohë, lëshimi i urdhrit të mbrojtjes, ka qenë 41.

Kur shoqëria ndryshon, divorci ndryshon

Ndryshimet në ligj në fillim të viteve ‘90 shpjegojnë një pjesë të arsyes se pse numri i divorceve është rritur, por kjo nuk tregon të gjithë historinë. Ndërsa ligji po ndryshonte, shoqëria shqiptare ndryshoi gjithashtu. Institucioni i martesës nuk ishte më i ‘paprekshëm’, gratë filluan rrugën drejt një pavarësie ekonomike dhe reagimi ndaj dhunës apo problemeve sociale si kumari etj., u rrit.

Gratë u shtuan në forcën punëtore në sektorë të ndryshëm. Ato nuk vareshin më nga burrat për t’i mbështetur. Pavarësia i lejoi ato të largoheshin nga një martesë e palumtur dhe të siguronin një jetesë për veten, apo edhe për fëmijët. Divorci gjithashtu u bë më i pranueshëm. “Faji” i divorcit ka nisur të zhduket. Ndërsa më shumë çifte ndaheshin, divorci u bë gradualisht pjesë normale e jetës dhe të mos ishte më tabu.

Ndryshime të tjera mund të shpjegojnë pse u rrit divorci, sipas ekspertëve sociologë, duke përfshirë: rritjen e bashkëjetesës, një person i divorcuar që rimartohet pas një divorci ka shumë më shumë gjasa të divorcohet përsëri. Gjithashtu, është vënë re një tendencë, që fëmijët e prindërve të divorcuar kanë më shumë të ngjarë të divorcohen. Ndërsa numri i prindërve të divorcuar rritet, do të rritet edhe numri i fëmijëve të tyre që divorcohen.Në mungesë të punës, shumë meshkuj shkojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë që të sigurojnë të ardhura dhe vijnë rrallë këtu, gjë që sjell çekuilibrim të marrëdhënies bashkëshortore. Ky është një faktor që kemi evidentuar sidomos në pesë vitet e fundit, pasi ka pasur një largim masiv të shqiptarëve. Në këto kushte, vështirësohet raporti dhe nisin konfliktet.Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces, i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here