Dorëheqja e Mark Markut , Bejko: Jam dakord përgjithësisht me atë që tha, por jo me atë që bëri profesori!

Nga Roland Bejko

Dorëheqja e Mark Markut duhet lexuar qartë nga Kryetari i PDSH dhe mbi këtë arsye duhet reflektuar në të ardhmen nëse vërtet PD është e dëshiron me gjithë mend të jetë aty për të mbrojtur e përfaqësuar interesat e demokratëve dhe shumicës së shqiptarëve, dhe jo thjesht të një elite të saj malinje, të korruptuar, të amortizuar, të konsumuar që prej 30 vjetësh i ka hipur si çiban në qafë dhe po i pi gjakun atij trupi politik që është sendërtuar falë mundit e sakrificave të mijëra e mijëra demokratëve që nga 1990 e deri më sot, ku jo pak prej tyre e kanë paguar me jetë këtë angazhim.

Kush e do PD dhe ka respekt për demokratët e sakrificat e tyre, duhet që interesi i përgjithshëm të prevalojë mbi atë personal, ose e thënë ndryshe, interesi personal duhet të jetë në koherencë me interesat e përgjithshme të familjes politike.

Kjo duhet të fillojë që nga Kryetari, ish Kryetari dhe të shkojë deri te anëtari më i thjeshtë, ndryshe PD do mbetet një parti e madhe ndoshta, por jo e mjaftueshme për të marrë pushtetin, pra do mbetet përjetësisht në opozitë. Kjo u ka ndodhur shumë partive të mëdha e tradicionale në Evropë, deri sa janë “fikur” fare. PD duhet shpëtuar!

Me Partinë Demokratike duhet bërë politikë, dhe jo biznes. Ajo duhet parë si një laburator idesh, meritokracie, programesh, aksionesh politike, dhe jo si një punishte artizanale që prodhon para dhe të mira materiale.

Në fakt, profesor Mark Marku s’bëri gjë tjetër, veçse shprehu me zë dhe me akt, atë që shumë të tjerë nga nivelet e larta tek më të ultat në PD, e mërmërisin kafeneve, por nuk kanë guxim ta thonë me zë të lartë.

Jam dakord përgjithësisht me ato që tha, por jo me atë që bëri Marku, pra jo me dorëheqjen.
Beteja të tilla duhen çuar deri në fund. Unë vazhdoj të besoj se përpjekjet nga brenda mund të jenë më efikase për demokratizimin e PD-së, se sa kritikat nga jashtë, studiove e gazetave.

Dorëheqja në vetvete krijon një lloj sensibilizimi të lartë disaditor në opinionin publik, pastaj ngelet thjeshtë si një referencë e një akti fisnik në historinë politike në përgjithësi, ose harohet fare.
Në fakt, me sa kam parë, largimi i tij i ka gëzuar shumë malinjët brenda PD-së, se sa t’i ketë bërë mendjet racionale të reflektojnë.

Gjithsesi, dorëheqja është një akt burrëror, që na krijon idenë se ky vend, ka shpresë që mund të bëhet një ditë, ashtu siç e dëshirojnë shumica e shqiptarëve.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment