“Dorëzohet” Novi: Jemi drejt fundit, do të mendojmë për të ardhmen e ekipit

0
229

Luftëtari po kalon ditët e tij më të këqija. Këmbngulja e bluzinjve për të siguruar një fitore është thuajse e kot .Humbjet janë bërë të pashmangshme. Shpresa tek mrekullia po venitet dhe këtë e shpreh qartë dhe trajneri Neritan Novi . Në fjalën e tij pas ndeshjes me Skënderbeun ku gjirokastritët humbën me rezultatin 0 me 2 , Novi tha se ka ardhur koha të mendojnë për të ardhmen pasi në këtë edicion të Superligës fati u vulos .
“Për hir të së vërtetës, luanim përballë ekipit më të mirë në Shqipëri kohët e fundit, pavarësisht problemeve që ka pasur këtë periudhë. Mendoj se është një grup dhe ekip shumë i mirë, e kishim përgatitur gjatë javës së e dinim se çdo të hiqnim në Korçë. E përgjithshmja është që ekipi m’u përgjigj, por gabuam dy herë në qendër të mbrojtjes, nuk kam çfarë të pres më shumë nga ky grup, i falënderoj për shpirtin e sakrificës dhe garën.
Kemi shumë kohë që edhe në stërvitje aplikojmë shumë para portës, por shoh që edhe në ndeshje po gabojmë shumë dhe është shqetësuese që nuk shënojmë. Po nuk shënove, është normale që do të pësosh, janë të rinj pa eksperiencë, por të shohim para.
Unë e kam thënë edhe herë të tjera, Luftëtari nuk ka për t’i hapur rrugë asnjë ekipi. Do të luajmë deri në fund, pavarësisht ekipit që vjen, do të luajmë lojë të pastër e korrekte. Me Bylisin do të jetë e vështirë, por do të përgatitemi që të futemi në fushë e shpresojmë të marrim diçka, edhe nëse nuk e marrim, nuk është fundi i botës. Jemi drejt fundit, do të mendojmë më shumë ndoshta edhe për të ardhmen e ekipit”, tha Novi. Luftëtari do të përballet me Bylisin të dielën në javën e 26 të kampionatit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here