Drejtori sportiv Dadaj: Ja pse e larguam Marantasin, drejtimin e Luftëtarit do ta marrë…

0
167

Një fitore, pesë barazime dhe gjashtë humbje, keto jane rezultatet e grekut Marandas në tre muaj drejtim të skuadrës gjirokastrite. Drejtuesit e klubit bluzi vendosën në mbrëmjen e djeshme të shkarkojnë grekun prej rezultateve të dobëta, që po e çojnë Luftëtarin në Kategorinë e Parë. 

marantas

Pas 15 javësh kampionat, skuadra gjirokastrite ndodhet në vendin e parafundit në renditje me vetëm 8 pikë dhe është plot 12 pikë më pak se vendi i tetë, që të çon në një ndeshje shtesë për qëndrimin në Superiore. Largimi i Marantasit u përfol edhe pas humbjes me Vllazninë në Gjirokastër, por gjithçka u vulos dje kur Luftëtari pësoi një disfatë me katër gola në Laç.

artur dadaj

Lajmin për vendimin e klubit e konfirmoi drejtori sportiv Artur Dadaj, i cili tregoi edhe arsyet. “Pas humbjes në Laç bëmë një mbledhje urgjente dhe vendosëm ta shkarkojmë trajnerin. Motivacioni është për rezultate të dobëta dhe për një paraqitje jo të mirë nga skuadra në këtë periudhë që e ka drejtuar zoti Marantas. Një arsye tjetër për këtë vendim ishin edhe marrëdhëniet jo të mira që trajneri kishte krijuar me një pjesë të madhe të lojtarëve në skuadër”, ka sqaruar drejtori Dadaj.

Ndërkohë, pas ndeshjes së djeshme në Laç, trajneri Marantas lidhur me humbjen që pësoi skuadra u shpreh: “Nëse kemi probleme të tjera, ato janë jashtë fushës së lojës. Puna ime është të flas për futbollin dhe në ndeshjen me Laçin mund të them se nuk funksionoi asgjë. Ky ekip ka nevojë për lojtarë, të paktën për pesë me eksperiencë, që e njohin futbollin shqiptar”.

Novi

NOVI, NË STOL

Neritan Novi do të drejtojë Luftëtarin në dy ndeshjet e mbetura për këtë vit, fillimisht të mërkurën ndaj Skënderbeut në Gjirokastër, si dhe në fundjavën e ardhshme kundër Bylisit. Deri pak ditë më parë, në klub është lakuar edhe emri i trajnerit Agim Canaj, por gjithsesi vetë drejtori Dadaj ka sqaruar se trajner i Luftëtarit do të jetë Novi, deri në një tjetër vendim të klubit për vazhdimësinë. Prej afro një vit,i Novi ka kryer detyrën e zv.trajnerit te skuadra gjirokastrite.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here