Dritëhijet e mesazhit të Donald Tusk !

0
155

Nga Stiliano Rushaj

Turi ballkanik i paralajmëruar i Donald Tusk, me vizitën e tij sot në Tiranë kishte jo vetëm një simbolikë të caktuar por dhe disa mesazhe të qarta për liderat e Ballkanit Perëndimor. Në simbolikë, ajo shprehte një kortezi nën cilësinë e kryetarit të Këshillit Europian për ti shërbyer axhendës së fokusuar drejt Ballkanit të promovuar nga presidenca bullgare deri në qershor të këtij viti. Nga ana tjetër 8 minutat e fjalës së tij, mbartnin mesazhe të qarta për audiencën pritëse dhe për Shqipërinë mbi të gjitha.

PËR PROÇESIN E INTEGRIMIT

Ajo çfarë keni bërë është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për negociata për antarësim….Nuk do të ndodhë brenda natës ky proçes, por do të ketë shumë sfida e punë të madhe, duke nisur me me sigurimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformës ambicioze të drejtësisë. Një tjetër sfidë do të jetë të binden të gjithë shtetet antare për të çelur bisedmet për antarësim. Jam i vetëdijshëm që ky proçes do ti ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostrade, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët.

Qartësisht kërkon të ndajë produktin e Komisionit Europian (pra rekomandimin pozitiv) me atë që do të pritet nga Këshilli Europian. Jep mesazhe inkurajuese dhe kortezie që sidoqoftë çdo hallkë e proçesit është mjaft e rëndësishme, duke nënvizuar se për të arritur një hapje të plotë të negociatave për antarësim vendi duhet të arrijë të forcojë standartet në kuadër të shtetit të së drejtës, rezultateve të qarta në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha hapa konkrete në reformën në drejtësi.

Në rastin më të favorshëm, kur Këshilli Europian do të miratojë çeljen e negociatave, këto do të jenë kushtet që do të kërkohen të realizohen qartësisht përpara nisjes së proçesit teknik. Në terma konkretë kjo do të ishte e realizueshme në një hark kohor prej 1-2 vite.  Ndërsa në rastin më të disfavorshëm kur Këshilli Europian për shkak të mos bindjes së vendeve antare nuk do ta miratonte rekomandimin e Komisionit, atëhere këto do të ishin 3 parakushtet kryesore, pa garanci të tjera që mund të kërkohen nga vendet antare për tu përmbushur nga Shqipëria. Në terma konkrete kjo do të nënkuptonte se Shqipëria duhet të rimarrë sërisht një rekomandim pozitiv nga Komisioni mbi përmbushjen e +3 kushteve dhe më pas të shpresonte se vendet antare do të kenë garancitë e plota që Shqipëria të nisë në hapin tjetër të integrimit.

PËR POLITIKËN E JASHTME

“Me historinë tuaj të rrallë, me Skënderbeun që mbrojti Europën nga Perandoria Otomane, jam i sigurtë që ju do ta doni këtë. Eksporte tuaja me BE janë në nivel 78% krahasuar kjo me 3% Kinën, 1 % me Turqinë dhe 0% me Rusinë.”

Një mësazh i fortë dhe i qartë për të gjitha deklaratat e pamatura dhe shantazhuese të KM gjatë dy vitetve të fundit në adresë të BE, në rast se Europa nuk na pranon kështu si jemi (narkoshtet, qeveri klienteliste dhe një hap para instalimit të një regjimi autoritast). Shqiptarët kanë një orientim të qartë kur bëhët fjalë për modelin politik, ideologjik dhe ekonomik: ai është demokracitë perëndimore (BE dhe SHBA).

Ndërkaq, Tusk kërkon të sjellë në kujtesën e Ramës se cdo orvatje për të tërhequr vëmendjen e fuqive të tjera jo Europiane është e dëmshme për të ardhmen e Shqipërisë: Turqisë nëpërmjet projektit skarco të Air Albania dhe koncesionit për aeroportin e Vlorës; Kinën nëpërmjet projekteve të One Road/One Belt; Rusisë nëpërmjet modelit oligarkik të shfrytëzimit në burimet publike (PPP).

PËR MARRËDHËNIET RAJONALE

Në Sofie duhet të riafirmohet prespektiva Europiane për Ballkanin Perëndimor. Por ajo që është më e rëndësishmja është thellimi i ndërveprimit rajonal. Duhet të rrisim përpjekjet për shkëmbimet kulturore dhe promovimin e identitetive kombëtare.

Duhet dhënë garancitë vendeve antare që Ballkani Perëndimor e sheh të ardhmen e tij brenda familjes Europiane. Për këtë qëllim vendet marrin angazhim të përmirësojnë kohëzionin e brendshëm dhe të rrisn ndërveprimin ndërmjet tyre. Me rëndësi është të jenë të aftë të përfitojnë të gjitha fondet për infrastrukturën e tyre nga BE (pra të përmbushin standartet projektim/menaxhim) dhe mos të zgjedhin burime të tjera finaciare të cilat nuk janë në përputhje me standartet e caktuara. Kujtojmë së Shqipëria në këto vite të fundit ka qënë përfituesi më i pakët i fondeve për infrastrukturë nga BE, përshkak të paaftësisë së qeverisë për të propozuar projekte të konkurueshme.

Nga ana tjetër, Tusk thekson rëndësinë e promovimit të identiteve kombëtare në vendet e rajonit. Me fjalë të tjera kërkohet angazhim konkret i qeverisë për më shumë vizibilitet dhe fuqi politike për minoritetit etnike zyrtare dhe ato ende të pazyrtarizuara.

Në këto kushte kur mesazhet e Këshillit Europian për Shqipërinë janë krejt të qarta, qeveria duhet të marrë angazhimin e plotë të ofrojë të gjitha garancitë për partnerët tanë europiane mbi të tre mesazhet e Donald Tusk. Edhe pse shpresëplotë si çdo shqiptar, nuk jemi në gjendje të parashikojmë sa me përkushtim dhe përgjegjshëm do ta ndërmarrë KM Rama turin pan-Europian për t’i ofruar garancitë e nevojshme vendet antare për hapjen e negociatave për antarësim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here