E fundit/ Nderron jete ish presidenti Bujar Nishani

0
175

Ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare ish-Presidenti Bujar Nishani. Prej muajsh, ai ishte i shtruar në një spital në Gjermani pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.Ky i fundit ishte presidenti i 6-të i Shqipërisë pas rënies së komunizmit. Së fundmi ai ishte rikthyer politikës aktive.

Po kush ishte Bujar Nishani?

Nishani lindi më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa ato pasuniversitare në Kaliforni për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”.

Gjithashtu studioi në Fakultetin e Drejtësisë në universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988.

Më pas, në vitin 1993 punoi në drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në ministrinë e Jashtme në drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n.

Nishani rikthehet në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Karriera politike

Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.

Në korrik të vitit 2005, Nishani zgjidhet deputet në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike. Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.

Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

Stafi i jugunews.net i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve të tij për humbjen e parakohshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here