Dy operacione antikanabis janë zhvilluar sot në territorin e Qarkut të Gjirokastrës, duke u finalizuar me sekuestron e 81 kg kanabis dhe arrestimin e një prej poseduesve. Rasti i parë është shënuar në fshatin Koshtan në Tepelenë ku shërbimet policore në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë, kanë organizuar një aksion me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit. Operacioni antikanabis, u përqëndrua në një banesë të braktisur në fshatin Koshtan. Në brendësi të saj, u gjetën disa thasë të mbushura me kanabis. Drogës së braktisur nuk i doli askush për zot, por mendohet se ajo është lënë e tillë nga poseduesit, disa minuta përpara se të mbërrinte policia. Kultivuesi në të arratisur e sipër, kishte harruar edhe një armë gjahu e markës BAJKAL. Grupi hetimor po merret me ekspertizën e armës së gjahut për të zbuluar gjurmët e gishtave në të. Në përfundim të veprimeve, policia ka konfirmuar se sasia e kanabisit të kapur në Koshtan, kishte një peshë prej 75 kg. Uniformat blu, ndërkaq janë vënë në ndjekje të pronarit të kanabisit dhe të armës së gjahut. Ndërsa po dje (e premte) Policia e Gjirokastrës ka arrestuar Nedin Karavidhën 45 vjeç nga Libohova pasi i’u gjet në banesë një sasi narkotike prej 6 kg. Sipas informacioneve policore, bëhet e ditur se policia ka zbuluar prezencën e kanabisit në banesën e Karavidhës, pas informacioneve që dispononte. Dy qese dhe një thes kanë qenë të mbushura me kanabis gati për t’u trafikuar të cilat kishin një peshë 6 kg. Ndaj libohovitit, rëndon vepra penale e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.