E vërteta pse Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat: Është një vend i mbytur në korrupsion!

0
147

Komisioni Europian do të publikojë më 29 Maj, të mërkurën e ardhshme, raportin e progresit për vendet kandidate të BE. Deri më tani dihet se sërish Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, pritet të rekomandojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Por vende si Gjermania, Franca, Holanda e ndoshta edhe Greqia, kanë dhënë sinjale të forta, se mund të jenë kundër Shqipërisë. Skeptike sipas deklarimeve të fundit është edhe Austria

Pavarësisht nga raporti i KE-ë, vendimi përfundimtarë për Shqipërinë do merret nga Këshilli i BE, që do të mblidhet më 18 qershor në Luksemburg. Janë të shumtë zërat që thonë se rasti i vendit tonë do të shtyhet për në fund të vitit, ndërsa ka shumë gjasa që të veçohemi nga Maqedonia e Veriut e cila mund të marrë një vlerësim më pozitiv se Shqipëria. Për këtë çështje shkruan edhe agjencia shtetërore austriake e lajmeve, APA, sipas së cilës progres- raporti do ketë fjalë të mira për Maqedoninë, por nuk do jetë rozë për Shqipërinë.

“Për Shqipërinë, pamja nuk duket rozë. Megjithëse Komisioni i BE ka gjasa që të vërejë përparim dhe një sërë reformash në Tiranë. Megjithatë ekziston një skepticizëm i madh për Shqipërinë mes vendeve të BE, përfshirë këtu çështjen e luftës ndaj korrupsionit. Përveç kësaj, siç ka ndodhur shpesh, marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri janë të ngarkuara politikisht. Pra, opozita po bllokon parlamentin dhe zgjedhjet. Për më tepër, zgjerimi i BE aktualisht nuk është shumë popullor edhe në Francë dhe vende të tjera të BE”, shkruan APA. Fillimi i negociatave të pranimit dhe çdo hap i procesit duhet të miratohet në mënyrë unanime nga 28 shtete anëtare të BE. Kryetari i parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka, tha se pret më shumë përpjekje nga Shqipëria për nisjen e negociatave të pranimit.

 “Mbi të gjitha, kjo kërkon struktura të mira shtetërore funksionale, tha ai. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, është bërë pioniere pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, sepse dëshmoi se mund të zgjidhte një konflikt”, shkruan më tej agjencia.

Kur bie fjala te Franca, Shqipëria sheh përpara një kundërshtar të rreptë për çeljen e negociatave. Kjo jo vetëm për shkak se ka kundërshti ndaj Shqipërisë, që vijnë prej krahut të djathtë, por edhe sepse vetë administrata e presidentit Emmanuel Macron është kundër.

Duke folur për RTL, ish-ministrja e Francës për Çështjet Europiane, Nathalie Loiseau tha se në qershor do ketë një ‘jo’ të prerë për Shqipërinë. Nathalie Loiseau tha se ishte ajo personalisht, që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë në vitin 2018. Ajo shto, se do veprojë njësoj edhe tani.

“Ajo që bllokoi zgjerimin e Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë, isha unë si ministre. Vendimet brenda BE merren në unanimitet. Franca luftoi për tetë orë në atë mbledhje për të bindur partnerët që të thoshin ‘jo’. Këtë e bëri vetë edhe presidenti Macron. Ju mendoni se ai ka ndryshuar mendim për një vit?, replikoi ajo me kundërshtarët politikë që e akuzonin se Macron do hapë negociatat me Shqipërinë.

“Ne do të jemi kundër, do të vazhdojmë të jemi kundër, ata janë gjeografikisht në Evropë, ne duhet t’i ndihmojmë ata, por zgjerimi tani nuk është i mundur, shtoi Loiseau. Prononcimi i saj është i mbështetur, edhe nga partia opozitare Republikanët.

“Mendoj se është një gabim i madh. Është një shtet i mbytur nga korrupsioni. Nëse bisedimet me Shqipërinë do të hapen në qershor, ne do të kundërshtojmë dhe do vendosim veton ndaj Shqipërisë, tha para disa ditësh Laurent Wauquiez, kryetar i Partisë Republikane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here