Ekzekutohen 18 masa arresti nga SPAK, Kraja dhe Nano zbardhin detajet e operacionit

0
47

32 urdhër arreste u dhanë sot nga SPAK pas operacionit “Golden bullet”, detajet për të cilin u zbardhën nga Arben Kraja dhe Gledis Nano. Këta të fundit bënë me dije se deri më tani janë ekzekutuar 18 masa arresti.

Disa nga personat ndaj të cilëve u ekzekutua urdhër-arrest janë: Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Skerdi Tasi, Leonard Palushi, Fatos Gosa, Erion Alibej, Gentajan Sharra, Florenc Cekrezi, Elvis Koci, Ilirjan Feci, Petrit Qoli, Agron Qoli, Agron Qafa, Artan Plaka, Besjan Xhixha.

Kreu i SPAK Kraja bëri me dije se në operacion morën pjesë 3 prokurorë dhe 4 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe përfaqësuesit e drejtorisë së policisë. “Do t’i shkojmë deri në fund këtij operacioni dhe goditjes së grupeve kriminale në Shqipëri, për një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët”, tha Kraja.

Policia bën me dije se operacioni nisi menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”.

“Menjëherë pas nxjerrjes së urdhër arresteve për 32 persona dhe urdhrave për kryerjen e kontrolleve në 28 banesa, të lëshuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit organizoi operacionin policor të koduar “Golden bullet”, për ekzekutimin e masave të sigurisë “Arrest në burg”.   Operacioni u shtri në disa qarqe, në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda.   Ky operacion u drejtua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Deri tani janë ekzekutuar gjithsej 18 masa sigurie, nga këto 9 persona u kapën gjatë operacionit, ndërsa për 9 të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale”, thuhet në njoftim.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale.  

Shkruaj nje koment