Elita e arkitektëve dhe akademikëve në vend, “gozhdojnë” Mirela Kumbaron për Bypassin në pjesën muzeale

0
782

Projekti “Bypass” në Gjirokastër kundërshtohet nga 30 emra të njohur të shkencës, fushës së trashëgimisë kulturore, urbanistikës e më gjerë. Përmes një peticioni me 30 firma dërguar presidentit, qeverisë, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Zhvillimit Urban, Bashkisë Gjirokastër dhe prefekturës kërkohet anullimi i këtij projekti, që sipas tyre prish imazhin e qendrës historike të Gjirokastrës. Materiali i përgatitur nga ekspertët përkatës, pasi është diskutuar dhe miratuar në mbledhjen e organizuar më datë 9 shkurt në Akademinë e Shkencave ka firmat e inxhinier Agim Mero kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës, akademiku Emin Riza përgatitës i dosjes për në UNESCO, akademik Luan Omari, prof.dr. Farudin Hoxha, prof. Bardhyl Golemi, prof. dr. Ksenofon Krisafi, dr. Moikom Zeqo, prof. dr. Vasil Tole, prof. dr. Agron Fico, prof. Mumtas Dhrami, prof. Maksim Muçi, dr. Faruk Baba, prof.dr. Lida Miraj, Sadi Petrela drejtori i fondacionit “Gjirokastra”, prof.assoc.dr. Konstatinos Giakoumis, prof. dr. Besnik Aliaj, dr. Kliti Kallamata, prof. dr. Nevila Nika, arkitekti Kreshnik Merxhani, z. Njazi Jaho, dr. Emin Musliu, inxhinier Gëzim Struga, Shpëtim Emiri, Bujar Qirko, Nuro Dhima, Pavlo Shkarpa, Skënder Allkja, prof.assoc. dr Ylber Muçeku, për të vijuar dhe me Andi Rembeci dhe Sokol Çunga. Janë këta emra të njohur në fushën e shkencës, urbanistikës, trashëgimisë, historisë e më gjerë, që kanë firmosur kundër projektit “Bypass”, i cili do ti drejtohet dhe UNESCO-s. “Projekti për ndërtimin e një rruge të re, të ashtuquajtur “Bypass” shkatërron një pjesë të qytetit muze të Gjirokastrës, vendndodhje e trashëgimisë botërore-UNESCO dhe vë në rrezik zonën përreth”, thuhet që në fillim të relacionit të përgatitur nga 30 specialistët. Në peticionin dërguar qeverisë mes të tjerave thuhet se në këtë projekt preken vlerat e jashtëzakonshme universale të qytetit të Gjirokastrës, vlera të cilat i kanë dhënë statusin e trashëgimisë botërore. “Grupi i ekspertëve ka identifikuar 5 grup argumentet kryesore që ekspozojnë problematikën shumëplanëshe dhe ndikimin e madh negativ të projektit që është miratuar më 13 shtator 2016 nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve si dhe ka përgatitur një kronologji të ngjarjeve, të cilat janë vendosur në vijim të këtij relacioni:1-Shkelje procedurale dhe administrative; 2-Shkelje ligjore; 3-Probleme të rënda tekniko-profesionale; 4-Shpërputhje me prioritet e Qendrës Historike dhe Zonës së Mbrojtur në Gjirokastër; 5-Ndikimi negativ në vlerat e jashtëzakonshme universale”, thuhet në peticionin dërguar së fundmi institucioneve të larta të shtetit.

Kronologjia e ngjarjeve

Në relacion thuhet se nga 1980 deri 2014 janë njëmbëdhjetë studime nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi problematikën gjeologjike të kodrës mbi të cilën shtrihet kalaja e Gjirokastrës, duke dëshmuar se zona në të cilën planifikohet ndërtimi i “Bypass” paraqet rrezikshmëri të lartë gjeologjike për shkak të shtresave si dhe një çarje të thellë tektonike. 22 tetor 2015, Organizata Ndërkombëtare Trashëgimia Kulturore pa Kufij paraqet një studim ku dëshmohet se janë të paktën 169 monumente të kulturës së kategorisë së parë dhe të dytë brenda qendrës historike të Gjirokastrës, të cilat ndodhen në gjendje kritike nën rrezikun se do të rrënohen plotësisht. “I njëjti studim i është dorëzuar më herët dhe institucioneve përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë për trashëgiminë kulturore. Studimi përputhet me rekomandimet e ardhura më parë nga UNESCO dhe organizata të tjera ndërkombëtare të cilat vlerësonin emergjente restaurimin për të shpëtuar monumentet”, vijon më tej relacioni. Për të vijuar me kronologjinë e ngjarjeve, 28 nëntor 2016 UNESCO, njësia për Evropën dh Amerikën Veriore i ka kthyer përgjigje IMK në lidhje me “Bypass”. Në konkluzionin e këtij dokumenti  të UNESCO-s kërkohet “rivlerësim i kapacitetit të planifikuar të rrugës së “Bypass” dhe nëse ka qenë i nevojshëm në këtë shkallë që është propozuar”. Më tej Forumi për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës kërkon me shqetësim që institucionet respektive, shtetërore dhe ndërkombëtare, të ushtrojnë me përgjegjësi kompetencat ligjore dhe administrative për të anulluar dhe ndaluar projektin e këtij “Bypass”-i, për të shpëtuar këtë Ansambël të Trashëgimisë Botërore, sa spektakolar aq edhe të brishtë nga tjetërsimi, që do të pësonte nga zbatimi i këtij projekti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here