Emigrantët, Rama i kthehet ashpër Britanisë: Ndaloni së diskriminuari shqiptarët për të justifikuar dështimet

0
164

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shqetësimeve të Britanisë për emigrantët e paligjshëm shqiptarë. Ai thotë se MB duhet të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.

Kreu i qeverisë shton se Britania duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta, thekson Rama, ndërsa nënvizon se edhe Britania mund të bëjë të njëjtën gjë.

“Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyesni Ajnshtajnin!)

70% e 140,000 shqiptarëve që janë shpërngulur në MB jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.

Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit”, shkruan Rama.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here