Emil Cioran për Rusinë

0
119

Emil Cioran për Rusinë

  1. Ivani i Tmerrshëm, për të mos cituar veçse më magjepsësin mes tiranëve, ka ezauruar çdo kënd e qoshe të psikologjisë. Po aq kompleks në marrinat e veta, sa ç’ishte edhe në politikë, e pati bërë mbretërinë e vet, madje, gjer në një farë mase edhe vendin e tij, një model të makthit, prototip të halluçinacionit të vazhdueshëm dhe të pashtershëm, nakatosje të Mongolisë dhe të Bizantit, duke përmbledhur cilësitë dhe të metat e një khani dhe të një despoti, monstër me zemërime demoniake dhe me një melankoli të ndyrë, ai kishte pasion për krimin, teksa shijen e gjakut dhe pishmanit, e shoqëronte me gëzim dhe zgërdhitje;
  2. Demokracia, që nuk ofron asgjë, është njëherazi edhe parajsa, edhe varri i një populli
    1. Ky fenomen është në favor të Rusisë, por jo të perëndimorëve, të cilët, të komplikuar e rrënuar për gazep të zi, që e kërkojnë “progresin” gjetiu, jashtë vetes dhe krijimeve të tyre, gjenden sot çuditërisht më afër personazheve dostojevskianë se edhe vetë rusët. Na vjen për hosh të saktësojmë që ata na sjellin ndër mend anët e dobëta të këtyre personazheve, që nuk kanë as trille të egra, as inate burrërore: ligështanë të “poseduar” nga stërhollimet dhe skrupujt moralë, të gërryer nga brerje ndërgjegjeje finoshe, nga mijëra pyetje, të verbuar dhe asgjësuar nga mëdyshjet e veta.
    2. Rusia, çfarëdo gjëje që të ketë shkaktuar, ose pësuar, s’është e kënaqur me fatkeqësi mediokre. E njëjta gjë mund të thuhet për të ardhmen e saj: do të vithiset mbi Evropën me një fatalitet fizik, me automatizimin e kaballëkut, me vitalitetin e tepërt dhe anormal, aq i volitshëm për brezninë e një perandorie (ku dhe materializohet gjithmonë megalomania e një kombi), me atë shëndetllëk që e ka të vetin, plot të papritura, tmerr dhe enigma, të molepsur me ide mesianike, rudimente dhe përfytyrim i pushtimeve. Kur sllavofilët mbështetin idenë që Rusia duhet të shpëtojë botën, përdorin një eufemizëm: nuk e shpëton aspak, pa e zotëruar. Tek pushtimi i një kombi, ajo, ose e gjen parimin e jetës në vetvete, ose s’e gjen askund: e si mund të shpëtohet ai ndryshe? Rusia – duke shekullarizuar dhe gjuhën dhe konceptimin e sllavofilëve – mendon se është detyra e saj të sigurojë shpëtimin e botës, dhe, në radhë të parë, të Perëndimit, ndaj të cilit s’ka pasur kurrë një ndjenjë të qashtër, por joshje dhe neveri, xhelozi (nakatosje e kultit të fshehtë dhe krupës së dukshme) që frymëzohet nga spektakli i kalbësirllëkut, i cili është për t’u pasur zili, po aq sa është dhe i rrezikshëm, kontaktin me të cilin është edhe duke e kërkuar, por edhe duke i qëndruar sa më larg. 5.Rusia: Do të thoshim se ka maninë e ngërdheshjes monumentale 6.Sot është e mprehtë pyetja që kaq rusë bënin në shekullin e kaluar për vendin e tyre: “Mos vallë ky kolos është krijuar kotmësëkoti?” Sigurisht ky kolos e ka një kuptim, po cili është ai?
    7.Me të dhjetë shekujt e saj të terrorrit, të errësirave dhe të premtimeve, Rusia ishte më e aftë nga kushdo për t’u përshtatur me anën e errët të çastit tonë historik. Apokalipsi i shkon për shtat në mënyrë të mrekullueshme, i shkon zakoneve dhe shijeve të saj, madje sot më shumë se kurrë, sepse, me ç’duket ka ndryshuar ritmin. “për ku ngutesh kështu, o Rusi?” ?”, pyeste Gogoli, i cili e kishte vënë re frenezinë që fshihte tej dukjes së palëvizshme.

Shkëputur nga “Historia dhe Utopia”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here