Enveristët, në 108 vjetorin e diktatorit

0
475

00228-00_01_35_12-still033 00228-00_01_53_28-still034

Edhe pse moti ka qenë jo i qëndrueshëm apo dhe nga frika e tërmeteve që kanë lënë gjirokastritët tërë natën jashtë, kjo nuk i ka penguar idhtarët e Enverit, të festojnë 108 vjetorin e lindjes së idhullit të tyre. Një grup nostalgjikësh gjirokastritë kryesisht të moshuar, u bashkuan në një trup të vetëm si dikur, për të përkujtuar, komandantin e tyre legjendar, udhëheqësin shpirtëror për 41 vjet me radhë, Enver Hoxhën. Destinacioni përkujtues i 108 vjetorit të lindjes, ishte oborri i jashtëm i shtëpisë së lindjes së ish diktatorit në lagjen “Palorto” një cep i të cilës, ishte rezervuar enkas, për enveristët të cilët sillnin ndër kujtesë, vitet e “ndritshme” të socializmit dhe të diktaturës së proletariatit që mbizotëronte në Shqipëri, për aq kohë sa udhëhiqej nga Hoxha. Vlerësimi i tyre ka qenë maksimal për figurën e Hoxhës ndonëse për ta, ajo është e pacënueshme nga “balta” që i është hedhur në 26 vitet e demokracisë në vend. Kreu i PK të Gjirokastrës Bujar Sulejmani, ka kërkuar nga pushteti vendor dhe Ministria e Kulturës, rivlerësimin e figurës së Hoxhës dhe njëkohësisht rivendosjen e monumentit të tij në vendin ku u instalua në vitin 1988 dhe që u shemb në korrik të 1991. Dy herë në vit mblidhen nostalgjikët enveristë pranë banesës së lindjes së ish diktatorit, në 11 prill ditë kur ndërroi jetë dhe në 16 tetor dita e lindjes së Enver Hoxhës. Në të dy datat, nostalgjikët e ish rregjimit evokojnë figurën e tij dhe të “meritave” të ish pushtetit një partiak. Për të pasur një gjurmë në qytetin e tij të lindjes përvec banesës tri katëshe në lagjen “Palorto”, enveristët, kanë kërkuar mjaft herë nga Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës, vendosjen e emrit të Enver Hoxhës, rrugës që kalon mes përmes lagjes. Mirëpo kjo kërkesë është refuzuar dhe në vend të këtij emri, këshilltarët 1 vit më parë, këtë rrugë e kanë quajtur Ismail Kadare.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here