Është luftë për të vrarë pjellën, apo shterpëzuar barkun?!

0
55

Nga Poli Hoxha

Ndërkohë që po përgatitej ky shkrim, Ylli Manjani, hodhi për koincidencë në faqen e tij në FB një shënim-këshillë të shkurtër. Ideja e tij është që zërat kritikë mediatik, opozita vetë dhe kushdo tjetër që është pozicionuar kundër kësaj qeverisjeje, të mos vazhdojë të merret me “personarucët” e kësaj skeme korruptivo-kriminale, që është instaluar në Shqipëri.

“Gabimi i madh taktik që bëjmë të gjithë: Në vend të fokusohemi tek problemi, merremi me personat. Kur merremi me personat, nuk merremi me kryepersonin, por me personarucët…”, shkruan Manjani dhe ndër “personarucët”, rendit edhe ministrin e Jashtëm të komanduar, Gent Cakaj me rastin e daljes së fundit te Blendi Fevziu.

Në fakt ky shqetësim është i vërtetë, edhe pse vetëm në gjysmën e konstatimit të tij. Tashmë dihet se koka e merimangës që ka shtrirë rrjetën në çdo fushë të jetës së shqiptarëve (të cilët po bien me shumicë brenda saj, si miza për ushqim) është një klub bizneso-kriminal, i cili mban nën dritë si përfaqësues, Edi Ramën. Por kjo nuk do të thotë që meqenëse e dimë se kush është koka përfaqësuese, të mos merremi edhe me “këmbët” që prodhojnë fijet e kurthit të madh. Kur themi të merremi me “këmbët”, nuk e kemi fjalën të bëjmë thjesht vëzhgimin e ngjyrës së tyre, kanë qime apo jo, por për funksionin si tjerrëse të rrjetës e cila urdhërohet nga koka-kryeministër. Madje thellë-thellë për hir të së vërtetës, edhe vetë Rama është një këmbë e kokës së vërtetë të kësaj merimange, që po mbyt vendin në rrjetën e vetë.

Nga ana tjetër, gjysma e vërtetë e këtij konstatimi është fakti, se në mënyrë të çuditshme, për të mos thënë foshnjarake, shohim që sa herë ndonjë nga ministrat e Ramës bën ndonjë gafë në artikulimin publik, apo shfaq kllounizmin e vetë në raport me shefin e madh, mjaft zëra kritikë ndaj kësaj qeverisjeje i kap ngazëllimi. Lëshohen në rrjet e në mediat ku kanë hapësirë dhe tjerrin, mangësitë e tyre. Ka aq shumë entuziazëm kur e kapin Gent Cakajn gafil duke thënë stroncllëqe të tipit, se ka 14 vite në politikë edhe pse është vetëm 28 vjeç, sa që të duket se më në fund ja gjetën Ramës, “thembrën e Akilit”, ku do ti ngulet shigjeta që i jep fund njëherë e mirë. Në thelb kjo nuk është gjë tjetër, veçse shpërqendrim dhe dhënie kohe e oksigjen, për “Klubin” dhe kokën e emëruar prej tij.

Pra është një këndvështrim që me shumë gjasa jo vetëm e argëton Edi Ramën dhe ata që përfaqëson ai, por edhe u intereson. Të luftosh një skemë-rrjetë si kjo që ka instaluar “Klubi” gjatë këtyre viteve me meme e statuse në Facebook, të cilat pastaj shndërrohen urgjentisht në shkrime nëpër ato pak portale kritike, nuk ke bërë gjë tjetër veçse ke shkaktuar një gudulisje në ije të tij. Unë besoj se efekti i tyre (përveç klikimeve), edhe kur duken si pickime apo “thika mes brinjëve”,  më shumë shkaktojnë qeshje, se sa plagosje apo dhimbje.

Çështja është që ky lloj kurthi po bëhet gjithnjë edhe më shqetësues, për sa i përket nivelit të mendimit kritik mediatik dhe politik opozitarë. Po bien brenda tij, “kokë e këmbë”, edhe figura të rëndësishme të opozitës dhe të medias kritike.

Sa më shumë që ministra të Edi Ramës, (si Cakaj dhe Lleshi p.sh) goditen vetëm si kllounë, aq më shumë i nxjerr Rama në publik. Në pozicionin e mbretit të komanduar, ai e ka vërtetuar që nuk e ka fare problem që ti ndërrojë marionetat e oborrit, në momentin që nisin e i bajatosen publikut dhe humbasin aftësinë shpërqendruese. Kanë prapa skene plot të tjerë, të bërë gati me kostume plot ngjyra e xhingla-mingla. Mjafton, që të gjithë të merremi me ata dhe jo me kokën e skemës.

Në këtë këndvështrim mendoj se kërkohet urgjentisht një rishikim i mendimit dhe artikulimit opozitar, politik dhe mediatik. Më saktë një kthjellim i atyre, që e pretendojnë këtë mision.

Jemi në një fazë ku qelbi i asaj që është instaluar me plan që prej 6 vitesh, po shpërthen si vullkan që nga baza e vatrës. Të merresh me stërkëlat e kësaj të keqeje dhe jo me këtë vatër, vetëm sa i jep kohën e florinjtë Ramës e atyre që e mbajnë fortë, brenda e jashtë vendit. Roli prej gangoje që po bën kryeministri, duke ecur përpara dhe mos llogaritur përfaqësimin e mbi 720 mijë votave të vitit 2017 dhe të mbi 50% që abstenuan tregon në fakt, pafuqinë e tij për të braktisur “Klubin”.

Bëhet fjalë për miliarda; në tendera; koncesione; “biznese strategjike”; licensa minerare; toka e truaje pafund në vendet më të lakmuara të Shqipërisë; banka; pastrim gjigant të parave të zeza që po vërshojnë nga gjithë globi; linjat e heroinës e kokainës nga Amerikat e Jugut e Latine, Azia, etj.

Mbi të gjitha shqiptarët, tifozë apo jo partish, duan të dinë; çfarë do të ndodh pas rënies së Ramës. Do të vazhdohet me rotacion lëngues si në këto 30 vite tranzicion, apo do të ketë ndërhyrje në zemrekun e ndryshkur të sistemit të votës së lirë?! Dhe jo vetëm në zgjedhje parlamentare e lokale, por edhe brenda forcave politike!

 Pra nuk është thjesht çështja, se si i bëri 3 shkollat master Cakajt brenda 3 viteve, apo përdorimi politik i Llesh-Gazit. Dilema e shumicës së atyre që mbushin sheshet, por edhe e qindra mijërave që i ndjekin nga divani i shtëpisë në TV, edhe pse e mallkojnë nga mëngjesi në darkë këtë qeverisje është; A e ngul dot thikën mendimi dhe artikulimi opozitar politik në zemër të vatrës, apo thjesht do të vazhdojë të tregojë me gisht puçrat që ajo prodhon mbi lëkurë?!

Nuk është koha për ndërhyrje estetike, por për operacion radikal. As për opsionin e ndërkombëtarë; krizën e sotme ta shtyjmë për nesër. Ose më thjesht, duke thirrur në ndihmë, Bertolt Breht; do shterpëzohet barku që polli këtë monstër, apo do të bëjmë sërish si në këto 3 dekada një dështim të radhës?!

 Këtë dilemë presin shqiptarët, që të marrë zgjidhje përfundimtare nga opozita dhe “mendimtarët” kritikë!   

Shkruaj nje koment