Faktorë që e dobësojnë opinionin publik sot në Shqipëri dhe e pengojnë të veprojë si i pavarur

0
166

Nga Artan Fuga

1. Bombardimi me një media që në përgjithësi e ka pothuajse të pamundur për shkak të strukturës së saj pronësore, mënyrës të funksionimit dhe financimit të prodhojë informacion të pavarur. Publiku bombardohet nga propaganda e politikës dhe nuk është në gjendje të përpunojë një mendim më vete.

2. Ekonomia pothuajse familjare në një sërë degësh që e ka mbyllur punonjësin brenda një logjike të izoluar familjare dhe brenda një strukture sociale familjaro-klanike që nuk del përtej kësaj sfere në një opinion publik që e bashkojnë idetë, jo lidhjet familjare.

3. Papunësia e lartë që nuk dëmton vetë njeriun, por edhe lidhjen sociale, solidaritetin social që është kushti i opinionit publik të strukturuar.

4. Kalimi drejt një gazetarie të deklamacionit dhe në rrjete sociale që prodhojnë klanizimin e informacionit duke thyer cdo agjendë të përbashkët që do të strukturonte unitetin e opinionit publik.

5. Emigrimi i brendshëm dhe i jashtëm shumë i fortë që ka bërë që brenda territorit lokal të jetojnë njerëz që nuk kanë memorje kolektive të përbashkët.

6. Mungesa e studimeve dhe e qendrave të vërteta të kërkimit shkencor që të përpunojnë alternativa mendimi të qenësishme dhe strategjike për të ushqyer opinionin publik.

7. Ndryshimi i statusit social për masa popullsish rurale që duke u urbanizuar shpejt nuk kanë akoma ndërgjegjen e reflektimit politik mbi jetën urbane.

8. Ikja e elementëve më aktivë në emigrim.

9. Individualizimi dhe interesi personal në rritje që e bën individin të synojë rregullimin e statusit të vet social, të zejë një punë etj. Pa menduar për çështje dhe interesa publike.

10. Mungesa e sindikatave dhe bllokimi i ojf duke i kthyer këto në sipërmarrje fitimi ose të varura nga establishmenti në një shkallë të madhe. Mungesa e liderëve të opinionit jopartiakë, si dijetarë, shkrimtarë, mendimtarë që të formojnë një grup shoqëror të fuqishëm. Një shkëputje e institucioneve fetare nga problematika sociale.

11. Mosshkollimi i një pjese të rinisë që ka energji kritike.

12. Mungesa e të drejtave politike minimale dhe përballja e njeriut me rreziqe ekonomike dhe sociale që e bëjnë të shohi vetëm hallin e tij për mbijetesë. Varfëria ekstreme.

13. Trashëgimia e kaluar e një mendëse të nënshtruar dhe glorifikimi i prijësit në dëm të dinjitetit personal të qytetarit.

14. Mundësia për emigrim si shpëtim që zvoglon potencialin kritik.

15. Paraja e ardhur për familjet nga emigracioni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here