Festivali teatror në Gjirokastër/Trimosh Ramadani ,aktori special që arti “e ngre në këmbë”

0
195

Në natën e pestë të Festivalit Teatror “Kadri Roshi” në skenën e teatrit “Zihni Sako” u vendos tragjikomedia “Jashtë Bie Borë” e autorit Italian Vincenzo Salemme. Shfaqje e vënë në skenë nga trupa teatrore e Tetovës me regjisor Qëndrim Rijanin dhe aktor protagonist Trimosh Ramadani. Loja drithëruese e aktorit tetovar Trimosh Ramadani u duartrokit gjatë dhe nga shumica e shikuesve në sallë. Vetëm në momentin e përshëndetjes së interpretëve pas përfundimit të shfaqjes shikuesit kuptuan se aktori kryesor ishte vërtet një invalid që luajti rolin e një invalidi. Gjatë gjithë shfaqjes u mendua se bëhej fjalë për një aktor normal, që interpretonte rolin e një invalidi, por e vërteta e interpretimit që ishte krejt ndryshe, shkaktoi emocione të forta tek shikuesit.

Tragjikomedia kishte brenda subjektit dy enigma, luftën se kush do ta marrë pasurinë, dhe dyshimit se si mund të kishte vdekur nëna e tre vëllezërve që edhe vetë vdesin në finale nga mbi doza e morfinës. “Jashtë bie borë” e autorit Vicenzo Salemme, përkthyer nga Hervin Çuli, përfshiu kastin e aktorëve Trimosh Ramadani, Blerim Ismani, Petrit Neziri dhe Muzafer Etemi. Ndërkohë që për muzikën është përkujdesur Fatos Lumani, për skenografinë Petrit Bakalli, për kostumografinë Edlira Qyshka. Me një skenografi modeste në dukje, por tërësisht funksionale, ku tërheq vëmendjen dyshemeja me element të terapisë fizike për një invalid si Çiçoja dhe simbolikën e labirintit dhe rënies së borës, tre aktorë me interpretimin e tyre e kaluan spektatorin nga situatat komike në një fund tragjik ku të tre mbeten pa jetë mbi dëborë. Konflikti për ndarjen e pasurisë, përcillet qysh në aktin e pare, kur vëllai i vogël, aventurieri Enzo, kthehet në shtëpi nga udhëtimet e tij nëpër rrugët e botës dhe gjen dy vëllezërit Stefanin dhe Çiçon në jetën e tyre të mbyllur brenda labirintin të ndërtuar për vëllain invalid. Ardhja e Enzos nxori në pah konfliktin, kur njeriu si synim jetësor ka aspektin material. Episodet dhe dialogët të afrojnë në mendje thënien proverbiale “Njeriu për njeriun është ujk”. Çiçoja bëhet dy herë “ujk”, një herë kur helmoi dikur nënë dhe në fund kur helmoi vëllezërit dhe vetën.

Dhe pse? Thjesht për të mos mbetur vetëm, apo për të mos shkuar në klinikë psikiatrike.
Personazhi kryesor, Çiçoja, interpretuar nga Trimosh Ramadani, në mënyrë “akrobatike” kalonte nga gjendjet e lumtura, në halucinacione befasuese dhe rikthehet sërish në gjendje të trishtueshme. Të dukej sikur tragjikomedia e Çiços ishte shkruar nga autorit Vicenzo Salemme enkas për t’u luajtur nga Trimosh Ramadani, i cili për fatin e tij të keq u sëmur dhe u paralizua 9 vjet më parë kur ishte në vitin e fundit të studimeve për aktor në Universitetin e Arteve në Tiranë. “Çiçoja është roli i tij i parë si aktor pas përfundimit të studimeve dhe fatkeqësisë së sëmundjes së tij dhe unë sot në skenën e Gjirokastrës pashë vlerat e shkëlqyera interpretative të tij, pashë një aktor që ka mposhtu sëmundje dhe është ngritur në këmbë si Anteu”, u shpreh plot emocion pas shfaqjes aktori dhe pedagogu i Trimoshit, Birçe Hasko.

Sipas regjisorit Qëndrim Rijani, “Jashtë bie borë” e merr subjektin e saj nga një ngjarje e vërtetë dhe përkimi me rastin e Trimoshit, i cili me kurajë të pazakontë u ngjit në skenë duke sfiduar gjendjen si një i paralizuar i vërtetë, i dha një kuptim dhe fokus shumë human kësaj ndërmarrje të përbashkët krijuese.
Ky festival teatror solli në Gjirokastër emra të njohur të kinematografis shqiptare dhe jo vetëm si Tinka Kurti Gaz Paja ,Mevlan Shanaj, Birçe Hasko , Petrit Ruka, Rajmonda Bulku etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here